Daut Haradinajt, i shkoi e gjithë dita e martë duke dhënë sqarime.
Së pari deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, doli në foltoren e Kuvendit, ku tha se u keqinterpretua, kur bëri një deklarim publik.
Ai mohoi të ketë thënë se do ketë spastrim të serbëve në rast se ish-kryeministri Ramush Haradinaj do ekstradohej për në Serbi, nga Franca ku po mbahet me fletarrest ndërkombëtar.
Me të njëjtin qëndrim, ish-gjenerali i UÇK-së, doli edhe para studentëve të kolegjit ISPE.
Në bisedë e sipër, politikani nga Deçani, u shpreh i bindur se vëllai i tij, dikur komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndaluar nga francezët, nuk do ekstradohet në Beograd dhe se për këtë do ndikojnë dhe partnerët ndërkombëtarë.
E meritat për qetësinë, që sipas Daut Haradinajt, mbretëroi në Kosovës, që nga ndalimi i Ramushit, i mban subjekti i tyre politik.
Por, Haradinaj s’mundi të thotë se nga partia e tij apo e tjerave në opozitë, mund të vijë kryeministri i ri i vendit, ashtu siç po pretendojnë disa akterë opozitar.
Temë e pashmangshme në takimin me studentët ishte dhe themelimi i Ushtrisë, që sipas ish-ushtarakut, do të bëhet së shpejti e nuk do të jetë kërcënim për asnjë individ apo shtet.