Ish-zyrtari kryesor financiar i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Vehbi Fejza, është dënuar me 500 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. pasi kishte pranuar fajësinë për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Fejza e kishte pranuar se gabimisht nuk e kishte raportuar saktë pasurinë, duke mos raportuar se ishte edhe pronar i një prone, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tij është përpiluar më 15 maj 2023, nga gjyqtari i rastit Genc Hasani.
Sipas aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë, gjykata do ta zëvendësojë me dënim me burgim, ashtu që një ditë burgim do të llogaritet me 20 euro, sipas nenit 43, par.3 të KPRK-së.
Po ashtu, i akuzuari Fejza është obliguar të paguajë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro dhe për programin e kompensimit të viktimave të krimit, shumën prej 50 euro.
Ndryshe, aktgjykimi në këtë rast është shpallur më 2 nëntor 2022, nga gjyqtari Nikolla Petronijeviq, por pasi i njëjti ka dhënë dorëheqje me të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb të Gjykatës më 7 nëntor 2022, hartimi i këtij aktgjykimi i është caktuar gjyqtarit Hasani, me aktvendim të datës 25 prill 2023, nga nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi, duke e zgjatur edhe afatin për hartimin me shkrim të aktgjykimit.
“Hartimi është bazuar në aktgjykimin burimor, meqenëse shpallja është bërë në gjuhën serbe dhe gjyqtari ka qenë serb, i njëjti ka aplikuar dispozitat e KPRK-së në gjuhën serbe, ku në par.2 të nenit 437 të tij parashihet dënimi me gjobë ose me burgim, ndërsa në gjuhën shqipe është i paraparë dënimi me gjobë dhe me burgim, andaj edhe gjyqtari i çështjes ka shqiptuar dënimin bazuar në KPRK në versionin e gjuhës serbe, e i cili është edhe në favor të të pandehurit”, thuhet tutje në vendim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 26 nëntor 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Vehbi Fejzës, me arsyetimin se më 31 mars 2019, i pandehuri sipas ligjit ishte i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, zyrtar kryesor financiar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A, por i njëjti nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë të dorëzuar në Agjencinë kundër Korrupsionit më 26 mars 2019, se është pronar i 1/1 të Njësisë kadastrale P-71208043-00582-27 me sipërfaqe prej 735 m2, e cila gjendet në fshatin Zhabar i Poshtëm, Komuna e Mitrovicës.
Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 437 par. 2 dhe 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi