Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar për herë të parë për darkën informale në Athinë që bëri bashkë liderët e Ballkanit dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europia, por që Shqipëria u ftua në nivel Presidenti, jo kryeministri, megjithatë Bajram Begaj refuzoi të shkonte “për shkak të agjendës”.
Teksa thekson se nuk reagoi më herët pasi nuk donte të shqetësonte mikpritësin dhe të ftuarit e tij, “duke e shtuar zhurmën para të përfundonin punën e tyre”, Rama përmes një reagimi të gjatë në twitter shton se “shpreson shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kishte parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës”.
Edi Rama: Këtu është përgjigja ime për të gjithë ata, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë, që komentuan në mënyra të ndryshme ose u hutuan nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje para ngjarjes. Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre.
Jam shumë i lumtur që Kyriakos mori iniciativën dhe me liderë të tjerë shumë të rëndësishëm të diskutojnë për të ardhmen europiane të Ballkanit nën sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE.
Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos ngatërrojë të ftuarit e nderuar. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët në radhë të parë është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq.
Tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë është ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjem t’i përgjigjesha njësoj, që në vend të tij të ftoja Presidenten greke, për të cilën kam gjithashtu respekt të madh.
Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, që janë të etur për të shfrytëzuar çdo rast. Por përpara kemi sfida shumë më të mëdha, male për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla për hir të popujve tanë, vendeve tona, rajonit tonë, Europës është më e madhe se ajo që na ndan. Është e tepërt që ne të bëhemi peng i politikave të brendshme fisnore”, shkruan Rama.
Në atë event përfaqësimi nga Shqipëria mungoi për shkak të ftohjes së raporteve nga përplasjet për çështjen e Ferdi Belerit kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës që u arrestua dy ditë para 14 majit. Fokusi kryesor, të paktën në njoftimin zyrtar, ishte “përshpejtimi i përpjekjeve të vendeve të rajonit për anëtarësim në BE”. Kjo u pasqyrua edhe në deklaratën e konkluzioneve të punimeve, duke përfshirë në të edhe mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në bllokun europian.