Besiana Musmurati, drejtoreshë e DKA-së në Komunën e Prishtinës thotë se nesër do të vizitojë shkollat e kryeqytetit për të parë gjendjen momentale, pas vendimit të fundit të MASHT-it për blerjen e librave nga prindërit.
Musmurati thekson se numri i prindërve që shkojnë për ankesa në drejtorinë e Arsimit është kogja i lartë, teksa cek edhe problemin me xhirollogaritë.
“Për momentin ne nuk e dimë fare se sa persona kanë blera libra, sa prindë janë furnizu me libra dhe sa prej tyre janë subvencionuar. Unë po planifikojë që nesër gjatë gjithë ditës të bëjë vizita nëpër shkolla të Prishtinës, ku do të shoh nga afër se si ka shkuar furnizimi dhe do të bisedojë më prindërit ku po ngecin dhe ku janë problemet”, tha Musmurati.
“Ne vazhdimisht kemi prindë që vijnë në Drejtorinë e Arsimit të cilët kërkojnë sqarime shtesë sa i përket aplikimit në platforëmn E-Kosova, kërkojnë ndihma të ndryshme edhe për të hapur llogari, disa prej tyre nuk kanë fare gjirollogari.Të gjitha këto jeni duke i drejtuar në ministrinë e Arsimit, shpresoj që ata e kanë ndonjë linjë komunikimi për t’i dalur në ndihmë prindërve. Kjo është gjendja momentale”, shtoi ajo.
Komuna e Prishtinës tashmë është e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor, kjo të paktën sipas Musmuratit.
“Ne si komunë i kemi bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë viti i ri shkollor sa më mbarë, kemi disa shkolla që janë duke u renovuar, por renovimi i tyre nuk paraqet problem për të filluar mësimin në kohë”, thotë Musmurati.
Musmurati tregon çështjen kryesore që Ministria e Arsimit duhet ta trajtojë sa më parë, e kjo është pikërisht me çmimet e librave nëpër shtëpitë botuese.
“Sa i përket çmimeve të librave në shtëpitë botuese, ne nuk kemi ndonjë informatë zyrtare se çfarë çmime po ofrohen, por me sa di unë secila prej tyre ka publikuar çmimet e librave. Ajo çka është me rëndësi është që, çmimet që po shiten në librari janë ofertuar shumë më lirë për ministrinë, kështu që unë mendoj se ka një ngritje të çmimeve prej ofertës se çka kanë ofertuar shtëpitë botuese për ministrinë si çmim me shumicë dhe çka po ofertojnë tani për prindërit si çmim me pakicë. Kjo është diçka që ministria e Arsimit duhet ta trajtojë”, tha Musmurati për GazetaBlic.