Site icon PrishtinaPress

Isni Kilajt i vazhdohet paraburgimi

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ia kanë vazhduar Isni Kilajt masën e paraburgimit.

Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore të DhSK-së, nga zëdhënësi Michael Doyle i cili tha se vendimi për Isni Kilajn është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake më 5 mars 2024.

“Më 5 mars, gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Isni Kilajt, pasi konstatoi se ekziston rreziku se mund të pengojë ecurinë e procesit penal dhe të kryejë vepra penale të tjera, si dhe rrezik i moderuar që mund të arratiset”, tha Doyle.

Sipas Doyle, në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Kilajn ka ripërsëritur konstatimin se Kilaj mund të ketë kryer krime kundër administrimit të drejtësisë.

“Në Vendimin e 5 marsit, Gjykatësi po ashtu përsëriti se ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj mund të ketë kryer krime kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, tha ai.

Zëdhënësi i DhSK-së shtoi se gjykatësi i ka vënë në dukje se këto konstatime lidhen me materiale konfidenciale të sekuestruara nga ZPS në banesën e Kilajt.

“Gjykatësi vuri në dukje se këto konstatime lidhen me materialet konfidenciale të sekuestruara nga Prokuroria gjatë kontrollimit të kryer me autorizim gjyqësor në banesën e z. Kilaj, për të cilat ekziston dyshim i bazuar se ose do të përdoreshin ose faktikisht u përdorën me qëllim ndërhyrjen në administrimin e drejtësisë”, tha Doyle.

Exit mobile version