Site icon PrishtinaPress

Nota diplomatike që SHBA’të ia dërguan Kosovës pas kërkesës skandaloze të Ministrit Armend Mehaj

Albanian Post ka siguruar – në dokument – notën diplomatike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës amerikane në Kosovë, i kanë dërguar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që Qeveria e Kosovës të zotohet, përmes marrëveshjes, se pajisjet që i janë dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që në kontratë e kanë të përcaktuar Forcën e Sigurisë së Kosovës si përdorues të fundit, nuk do t’i jepen asnjë organizate tjetër të sigurisë.

Kjo notë diplomatike vinte pasi SHBA-të kishin kuptuar se Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, kishte kërkuar përdorimin e disa autoblindave ushtarake për situatën në Veri të Kosovë, duke kërkuar fillimisht që ato të lyheshin me ngjyrën e kaltër të policisë.

Në notën diplomatike, të cilën e ka siguruar Albanian Post, thuhet se “Ambasada propozon që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës të bien dakord që, pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të ofrojë asnjë ndihmë të dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961 ose Aktit për Kontrollin e Eksportit të Armëve, apo legjislacionit pasardhës, asnjë njësie të sigurisë të Republikës së Kosovës, për të cilën Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ia ka bërë të qartë Republikës së Kosovës se e ka të ndaluar të pranojë ndihmë të tillë sipas seksionit 620M të Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961, i njohur Ligji Leahy”. 

Lidhur me këtë notë diplomatike, Albanian Post ditë më parë ka kërkuar qëndrimin e Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ndërsa, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka refuzuar ta komentojë, por pa mohuar apo pohuar vërtetësinë e saj apo përmbajtjen e saj.

Ambasada po ashtu ka refuzuar të komentojë nëse nota diplomatike lidhet me Ligjin Leahy, apo me procedurat standarde që lidhen me transferimin e ndihmës ushtarake të dhënë nga SHBA-ja për një entitet, tek një palë e tretë, megjithatë dokumenti i siguruar nga AP tregon se bëhet fjalë pikërisht për sanksionimet që vijnë nga ky ligj.

Çka kërkoi ministri Mehaj?

Nota diplomatike vjen pasi, siç ka shkruar ekskluzivisht Albanian Post, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, mbrëmjen e 18 shtatorit e kishte urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër mjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit. 

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama e kishte refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes.

Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor merr përgjigje negative.

Kërkesa e ministrit Mehaj ishte përcjellë me shqetësim nga instancat më të larta të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.

Albanian Post ka raportuar se në bisedat që janë bërë pastaj, Pentagoni ia ka bërë të qartë komandës së FSK-së që, nëse do të ishte pranuar kërkesa e ministrit Mehaj, do të konsiderohej shkelje e rëndë e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të gjitha mjetet e armatimet do të tërhiqeshin mbrapsht. 

Lidhur me notën diplomatike, Albanian Post pati kërkuar edhe qëndrimin e Zyrës së Kryeministrit përveç asaj të Ministrisë së Mbrojtjes, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje në pyetjet e bëra.

Çfarë thotë Ligji Leahy dhe çka janë procedurat e transferimit tek pala e tretë?

Ligji Leahy i referohet dy dispozitave statutore që ia ndalojnë Qeverisë së SHBA-së t’i përdorë fondet për ndihmë njësiteve të forcave të sigurisë të shteteve tjera, kur ka informacione të besueshme që i lidhin ato njësi me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Njëra dispozitë statutore lidhet me Departamentin e Shtetit, ndërsa tjetra me Departamentin e Mbrojtjes. 

Ligji Leahy i Departamentit të Shtetit lidhet me seksionin 620M të Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961, 22 U.S.C. 2378d. Në pikën (a) të tij thuhet se “asnjë ndihmë nuk do të jepet bazuar në këtë Akt apo atë për Kontrollin e Eksportit të Armëve, për cilëndo njësi sigurie të një shteti të huaj, nëse Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm që ajo njësi ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”.

Qeveria e SHBA-së, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut i konsideron: torturën, vrasjen pa gjyq, zhdukjen me dhunë dhe dhunimin. Dispozita tjetër, lidhet me Departamentin e Mbrojtjes, për të cilin Ligji Leahy është i përhershëm sipas Seksionit 362, Neni 10 i Kodit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas saj, fondet e ndara nga Departamenti i Mbrojtjes ndalohet të përdoren për trajnimin, pajisjen apo forma tjera të ndihmës për njësi që kanë kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Lidhur me këto dispozita, Albanian Post i ka dërguar pyetje Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, nëse ka dyshime që Policia e Kosovës apo njësite të saj kanë kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, por nuk ka marrë përgjigje. Mirëpo, një nga pikat e Aktit për Ndihmë të Jashtme të vitit 1961, seksioni 620, thotë se ndihma ushtarake nga Qeveria e SHBA-së nuk mund të jepet për njësi të cilat nuk kanë kaluar nëpër proces të vetting-ut si tërësi dhe secili individ në veçanti.

Ndërsa, procedurat e transferimit të ndihmës së dhënë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tek një palë e tretë, kërkojnë nga përfituesi i asaj ndihme, që t’i drejtohet dhe të marrë pëlqim me shkrim nga Departamenti i Shtetit se i lejohet që ta ndërrojë pjesën e marrëveshjes sipas së cilës ai është përdoruesi i fundit, bazuar në Aktin për Ndihmë të Jashtme dhe Aktin për Kontrollin e Eksportit të Armëve./Albanianpost.com

Exit mobile version