Site icon PrishtinaPress

Nominimi i Borell për shef të Politikës së Jashtme në BE, nuk po shihet me sy të mirë në Kosovë

Nominimi i ministrit të Jashtëm spanjoll, Josep Borell, për udhëheqës të diplomacisë Evropiane po shihet me shqetësim në vendin tonë.

Bashkimi Evropian pas zgjedhjeve brenda Unionit 28 anëtarësh, ka nominuar edhe kandidatët për pozitat kryesore në institucionet e saj.

Njohësi i integrimeve Evropiane, Bashkim Vasolli, thotë se në pozitën kyçe, atë të Kryetarit të Komisionit Evropian, është nominuar një kandidate pro Ballkanit Perëndimor, ministrja gjermane  e Mbrojtjes, Ursula Leyen.

“E njeh Ballkanin Perëndimor mjaft mirë dhe ka qenë gjithmonë pro BE-së. Ne besojmë se nëse aprovohet ky nominim, do të jetë një lajm i mirë sepse së paku Gjermania do ta ketë një zë më të theksuar në të gjitha proceset brenda BE-së”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Besnik Vasolli.

Por shqetësuese sipas tij mbetet nominimi i ministrit të jashtëm spanjoll, Josep Borell, për në krye të diplomacisë Evropiane.

“Qëndrimet e tij dhe të shtetit spanjoll duket se kanë qenë negative ndaj Kosovës. Ne kemi parë deklaratat e tij që ka qenë kundër Pavarësisë së Kosovës madje ka shkuar edhe më tej duke thënë se sportistët e Kosovës duhet të garojnë me flamurin e Serbisë. Pra kjo tregon edhe një qëndrim të tij personal në raport me Kosovën”, tha më tej Besnik Vasolli.

Njohësi i zhvillimeve politike, Rasim Alija shprehet se nominimi i Borelles për atë pozitë, duhet të i aktivizoj institucionet e Kosovës, që të lobojnë në rritjen e rolit  të SHBA-ve në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Kjo tregon edhe nevojën e shtetit të Kosovës që të kërkojnë rol të shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi në mënyrë që të balancojë dhe mënjanoj implikimet e mundshme të BE-së dhe vet zotit Borrell si persona që i reziston Pavarësisë së Kosovës”, tha Rasim Alija.

Këto nominime tani presin votimet e deputetëve në parlamentin Evropian, për tu zyrtarizuar në pozitat e tyre.

Exit mobile version