2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Njohja nga Serbia është e panevojshme nëse ajo e dëmton sovranitetin e Kosovës!

Strategjia e Beogradit është që përmes ndërkombëtarizimit të problemeve fetare serbe në Kosovë, të fitojë sa më shumë hapësirë manovruese për një status special të serbëve në Kosovë. Nëse Kosova në Bruksel kalon nga defansiva në ofensivë, duke ia bërë me dije Serbisë se nuk po e kërkon me çdo kusht njohjen nga ajo, por vetëm sjellje konstruktive në raport me serbët lokalë dhe pranimin e realitetit në terren pas vitit 1999, atëherë dialogu do të ishte substancial, e jo humbje kohe, siç ka ndodhur tash e dhjetë vite

Nga Mehmet PRISHTINA

Serbia nuk ka de jure pushtet në Kosovë, por po synon që atë ta ketë duke shpresuar në marrëveshjet e reja ndërkombëtare. Ky konstatim është aktual në kohën kur Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar datën e as agjendën e takimit të paralajmëruar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel. Ky i fundit edhe më herët e kishte pranuar se Serbia nuk ka pushtet në Kosovë. Ai më 27 maj të vitit 2019, gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë për Kosovën, duke iu drejtuar deputetëve, ai kishte thënë se Serbia nuk ka pushtet në Kosovë, përveç në shëndetësi dhe arsim dhe se duhet të ndërpritet manipulimi me publikun.

Mirëpo Vuçiqi tash, sidomos në prag të takimit me kryeministrin Kurti, ka qëndrim krejt tjetër, për arsye se synimi i tij është që të sigurojë pushtet në Kosovë përmes ligjeve të caktuara, të cilët i japin Serbisë të drejtën për të kontrolluar pjesë të caktuara të territorit të Kosovës.
Tash së fundmi Ministria e Kulturës e Serbisë, ka pranuar ndryshimet për hartimin e Ligjit për trashëgiminë kulturore, me kërkesën e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), me theks të posaçëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Ekspertët juridikë sigurisht që e kanë të paqartë se në çfarë mënyre do ta zbatojë Serbia një ligj të tillë, kur ajo nuk ushtron kurrfarë jurisdiksioni mbi territorin e Kosovës.
Madje jo pak edhe ekspertë dhe analistë në Beograd e pranojnë se Serbia, përmes Ministrisë së Kulturës, do të mundte në mënyrë të drejtpërdrejtë, të mbrojë trashëgiminë kulturore në Kosovë, përveç nëse kjo arrihet me ndonjë marrëveshje, në kuadër të bisedimeve që do të vazhdojnë më tej.

Politika aktuale serbe, e kryesuar nga Vuçiqi, janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhen, prandaj kërkohet sa më shumë, në mënyrë që në fund tryeza të mos mbetet e zbrazët. Tani kërkohet që edhe me ligj te Serbisë të mbrohet trashëgimia kulturore serbe, duke anashkaluar me këtë rast gjithë sistemin juridik të Kosovës

Por, a do ta pranojë Prishtina zyrtare dhe bashkësia ndërkombëtare një diversion të tillë ligjor të Serbisë mbi territorin e Kosovës?

Para takimit me kryeministrin Albin Kurti, Beogradi është aktivizuar që të nxjerrë në pah ato tema që janë mjaft atraktive për veshët e diplomatëve ndërkombëtar. Prandaj jo rastësisht riakualizohet e ashtuquajtura mbrojtje e trashëgimisë kulturore serbe, e cila është e reduktuar kryesisht në pasurinë e kishave e manastireve, përfshi tokat, kullosat, pyjet, ujërat përreth këtyre objekteve sakrale, të cilat dhunshëm ishin konfiskuar në fillim të viteve nëntëdhjeta nga regjimi i Millosheviqit dhe i ishin përshkruar si pasuri të patundshme në llogari të Kishës Ortodokse Serbe.

Se çka nënkuptohet me trashëgimi kulturore serbe, mjafton të vizitojmë faqen e internetit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ku do të shohim se në Kosovë gjenden rreth 1.300 kisha, manastire dhe objekte të tjera, lokalitete dhe tërësi hapësinore, të cilat, siç thuhet, e përbëjnë trashëgiminë kulturore të popullit serb.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës e Serbisë ka përgatitur një debat publik për Projektligjin për trashëgiminë kulturore, kurse përfaqësuesit e grupit të punës të Ministrisë së Kulturës të Serbisë, nënvizuan gjatë prezantimit të draftit, se ai është në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian, si dhe që për herë të parë, po futet kategoria e pronës kulturore – peisazhi kulturor. Me këtë rast është paraparë që të krijohen dy komitete kombëtare, të cilat do të merren me çështjet e të mirave kulturore që janë të regjistruara në listën e UNESCO-s, kurse Kisha Ortodokse Serbe do të caktojë përfaqësuesit e saj, të cilët bashkë me ekspertët e Ministrisë së Kulturës, do të punojnë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe se ajo duhet të zgjidhet me mbështetjen ndërkombëtare.

Siç mund të vërejmë, opinion publik në Serbi po formohet në drejtim të përfshirjes së KOS-it në bisedimet e ardhshme që do të mbahen në Bruksel, ku do të insistohet në mbrojtjen e Rezolutës 1244, e cila, sipas përfaqësuesve serbë, Kosova është pjesë e Serbisë. Strategjia e Beogradit është që përmes ndërkombëtarizimit të problemeve fetare serbe në Kosovë, të fitojë sa më shumë hapësirë manovruese për një status special të serbëve në Kosovë.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pa e analizuar mirëfilli gjenezën e problemit që lidhet me pronën e Manastirit të Deçanit, pat nxjerrë një vendim sipas të cilit 24 hektarë tokë i përkisnin Manastirit të Deçanit. Por, në fakt ky vendim legalizonte uzurpimin e vitit 1997, kur regjimi i Sllobodan Milosheviqit, në mënyrë arbitrare atë pronë ia dhuroi manastirit të Deçanit, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar në Kosovë, vazhdimisht i ka bërë thirrje Komunës së Deçanit dhe Qeverisë së Kosovës, për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit 24 hektarë tokë janë në pronësi të Manastirit të Deçanit.
Bisedimet e paralajmëruara Kosovë-Serbi, që pritet të mbahen në mesin e këtij muaji, duhet kuptuar edhe si një sfidë e radhës, por mjaft serioze, që po i vjen Kosovës, duke marrë për bazë pikërisht synimet grabitqare serbe, të cilat po i kamuflon si trashëgimi kulturore.

Fatkeqësisht viteve të fundit Kosova, sidomos diplomacia e saj dhe mediat, kanë treguar një pasivitet të pajustifikueshëm në raport me betejat propagandistike kundër Serbisë. Për pasojë bashkësia ndërkombëtare ka qenë njëanshëm e informuar mbi trashëgiminë kulturore në Kosovë, duke pretenduar se vetëm serbët kanë probleme, ndërkohë që më shumë se 1.200 objekte nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës, u morën në fund të viteve ’90-të “për një ekspozitë të përkohshme në Serbi”, me obligimin për t’u kthyer, por kjo nuk u bë. Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka njoftuar se nuk e njeh kategorinë e “trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ashtu siç nuk e njeh “shtetësinë e Kosovës”.

Të gjithë ata që kanë iluzione se duke i bërë lëshime Beogradit, siç është vepruar deri më tani, mund të fitojnë poena në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, gabohen rëndë. Kosova duhet të shkojë në Beograd me një strategji të qartë se ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve me Serbisë, se nuk e ka të domosdoshme njohjen nga ana e saj dhe se serbët lokalë përbëjnë preokupim thelbësor të Qeverisë së Kosovës.
Lehtësuesit e dialogut BE dhe SHBA duhet mirëpritur si miq që ia duan të mirën të ardhmes së vendit tone, por ata duhet të ushqehen edhe më tepër me informacione, të cilat fatkeqësisht deri më tani kanë munguar. Pozicioni i Kosovës në tryezat e bisedimeve me Serbinë, nuk duhet të paraqitet si palë që duhet t’i bëjë lëshime Beogradit për ta merituar njohjen e Serbisë. Ndërkaq sa i përket pronave të kishave e manastireve serbe, Kosova duhet të ndjek shembullin e Malit të Zi, ku qeveria e mëparshme e udhëhequr nga DPS-ja e Milo Gjukanoviqit, më vitin 2019, hyri në konflikt me KOS-in rreth Ligjit për lirinë fetare, i cili parashikonte që pronat e komuniteteve fetare, të ndërtuara para vitit 1918, të transferohen në pronësi të shtetit, në qoftë se bashkësia fetare nuk ka prova që prona i takon asaj. Pronat e uzurpuara arbitrarisht nga regjimi i Millosheviqit në vitet nëntëdhjetë, duhet t’i kthehen shtetit të Kosovës dhe këtë duhet ta kenë të qartë edhe ndërkombëtarët. Nëse lejohet ky uzurpim, atëherë bie në ujë kauza humane e vitit 1999, kur NATO me aleatët e vet bombardoi Serbinë për ta çliruar Kosovën nga regjimi shtypës i Millosheviqit.

Nëse i referohemi deklaratës së Kryeministrit Kurti i cili u shpreh se qeveria e tij ka një program qeverisës dhe një plan për dialog, duke shtuar se dialogu me Serbinë do të jetë i ri, e jo vazhdim, atëherë duhet shpresuar që delegacioni kosovar në Bruksel do të shkojë me bindjen se po bisedon me një oponent i cili nuk e njeh realitetin e krijuar në Kosovë pas vitit 1999. Për rrjedhojë, gjithçka që përfshin këtë mendësi serbe, do të duhej të evidentohej si atak mbi klimën e mirëbesimit dialogues.

Nëse bashkësia ndërkombëtare, kryesisht SHBA, BE e NATO në qershor të vitit 1999 kishin zbarkuar në Kosovë me idenë se do të instalojnë një shtet të ri, ku regjimi i Beogradit nuk do të jetë më kurrfarë hisedari, atëherë na duket e palogjikshme që tani pas 22 viteve t’i bëhen aso lëshime Beogradit që do t’ia njihnin Serbisë të drejtën për të pasur nën kontrollë pjesë të caktuara të Kosovës, ashtu siç po kërkohet edhe nga disa ‘non papera’ të sponzoruara nga Rusia.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i filluar më 2011, nuk i ka përmbushur pritjet e veta, për arsye se Serbia nuk ka pasur për qëllim të negociojë me ‘një shtet që nuk e njeh’, por të imponojë teza e qëndrime që do ta përforconin statusin e saj brenda Kosovës. Kjo edhe për faktin se Serbia ka dashur në vazhdimësi t’ia mbyllë gojën Kosovës që në tryezat e bisedimeve të mos flet për gjenocidin serb, për fatin e personave të pagjetur, për artefaktet e vjedhura dhe pronat e uzurpuara, për zhdëmtimin dhe reparacionet e luftës si dhe për një mori temash të tjera që janë peng i politikës ekspansioniste serbe kundrejt Kosovës.

Nëse Kosova në Bruksel kalon nga defensiva në ofensivë, duke ia bërë me dije Serbisë se nuk po e kërkon me çdo kusht njohjen nga ajo, por vetëm sjellje konstruktive në raport me serbët lokalë dhe pranimin e realitetit në terren pas vitit 1999, atëherë dialogu do të ishte substancial e jo humbje kohe, siç ka ndodhur tash e dhjetë vite.

Prishtinë, 4 maj, 2021

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img