Site icon PrishtinaPress

Njohja dhe Asociacioni, kompromise të dhimbshme

As Bashkimi Evropian dhe as në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare, formalisht nuk kanë dhënë sinjale dhe as nuk e kanë definuar qartë se çfarë nënkupton “kompromisi i dhimbshëm”, për të cilin flasin kur bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, Naim Rashiti dhe Donika Emini.

Për domosdonë e një “kompromisi të dhimbshëm” për të arritur një marrëveshje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vazhdimësi kanë folur zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe zyrtarë të Serbisë dhe të Kosovës.

Lajçak: Zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë, një kompromis i dhimbshëm

Së fundmi, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Forumin për Siguri të Beogradit, ka deklaruar që zgjidhja e kontestit “do të jetë një kompromis i dhimbshëm” i cili është i mundur dhe “që ia vlenë”.

Por, çfarë është ky kompromis i dhimbshëm, Lajçak nuk e ka sqaruar. Këtë deklaratë nuk e sqaruan as zyrtarët tjerë të Bashkimit Evropian.

“Fjalitë e izoluara”, pa shpjegim zyrtar; jozyrtarisht “deklaratë e qartë”
Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian (BE), kompetent për politikën e jashtme, ka thënë për Radion Eropa e Lirë që “fjalitë e izoluara” të zyrtarëve evropianë, të cilët kanë folur në ngjarje, nuk duhet interpretuar kurrë.

“Ai (Lajçak) foli në një kontekst më të gjerë dhe tha shumë më tepër sesa kjo fjali, kështu që nuk nevojitet asnjë interpretim ose shpjegim”, ka deklaruar Stano për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, zyrtarët e BE-së, në kushte anonimiteti, kanë shpjeguar që Mirosllav Lajçak, në Forumin për Siguri të Beogradit “deklaroi atë që është e qartë” dhe që, sipas tyre, nënkupton një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga pala serbe, por edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës.

Zyrtarët evropianë përkujtojnë që presidenti i Serbisë, në disa raste në paraqitjet ose intervistat e tij publike, ka thënë që Serbia duhet të jetë e gatshme për një kompromis të dhimbshëm, që do të thotë, siç shpjeguan ata, “pranim dhe njohje eventuale që Kosova nuk do të jetë më pjesë e Serbisë – dhe për këtë arsye kërkohet kompensim”.

Po këta zyrtarë, thanë që gjithashtu edhe politikanët e Kosovës, në disa raste kanë porositur që kompromisi i nevojshëm nuk është asnjëherë i lehtë “dhe përfshinë tërheqjen nga disa kërkesa”.

Në atë kontekst, zyrtarët evropianë të përfshirë në dialog besojnë se marrëveshja mbi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “mund të shihet si një kompromis i dhimbshëm”.

“Temat e vështira janë në tryezë, ku do të testohet vullneti për kompromis dhe kompromisi ndoshta do të jetë i vështirë për njërën apo tjetrën palë, në dritën e presioneve të tyre të brendshme politike”, thanë zyrtarët evropianë, duke shtuar se megjithatë ia vlenë të bëhen kompromiset, marrë parasysh që rezultati përfundimtar do të jetë normalizimi dhe në fund integrimi në BE.

Rashiti: Problemi te ndërmjetësuesi
Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë që aktorët e involvuar në dialogun Kosovë-Serbi nuk kanë bërë me dije se si do të duket kompromisi dhe është vështirë të dihet kjo.

Por, sipas tij, ajo që dihet saktë, është ajo se çfarë duan palët, Kosova dhe Serbia. Siç thotë ai, Kosova kërkon njohjen nga Serbia dhe heqjen e barrierave nga rruga e saj drejt anëtarësimit të plotë ndërkombëtar dhe perspektivës evropiane.

Ndërkaq, siç thotë ai, Serbia kërkon që ta zgjidhë çështjen e Kosovës mjaftueshëm sa që të mos i bëhet pengesë për anëtarësim në BE.

Rashiti thotë se në këtë kompromis, Kosova do të ofronte Dokumentin e Ahtisarit apo siç e quan ai, “Ahtisari plus”, Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të marrë njohjen nga Serbia, por duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit dhe funksionalitetin e tij.

Ndërkaq, siç thotë ai, Serbia kërkon kompromis, qoftë territorial, qoftë një status shumë më të zgjeruar për serbët e Kosovës dhe për Kishën Ortodokse Serbe, si dhe të drejta tjera në kuadër të Kosovës, për një normalizim eventualisht të plotë të marrëdhënieve. Por, sipas tij, Serbia heziton shumë që ta vendosë njohjen eksplicite të Kosovës në tavolinë.

“Tani problemi qëndron te ndërmjetësuesi. Ai e ka përkufizuar këtë proces si një ‘kompromis të dhimbshëm’ për t’i përmbyllur të gjitha çështjet e hapura dhe për t’i eliminuar të gjitha pengesat për progres të Kosovës për të ecur drejt BE-së.

“Por, nuk i ka dhënë emër. Shtetet anëtare të BE-së, sidomos Gjermania, tanimë flet në mënyrë eksplicite për njohje reciproke, të cilën para se të jetë ky emër, është njohja në mes dy vendeve. Duke filluar nga njohja në mes dy vendeve, duhet të gjendet kompromisi se si ta akomodojnë këtë proces politik këto dy vende”, theksoi Rashiti.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë gjithë dialogut Kosovë-Serbi, kur palët janë kthyer, qoftë nga Brukseli, qoftë nga Uashingtoni, me deklarata triumfaliste kanë krijuar një përceptim që po fitojnë kundër njëra-tjetrës apo që janë një hap para njëra- tjerës.

Ndërkohë, sipas saj, palët kanë kërkuar kompromis dhe një të tillë e kanë theksuar edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

“Së pari, deklarata e Lajçakut se (kompromisi) do të jetë i dhimbshëm, mirëpo personi që do ta nënshkruaj do të jetë në anën e duhur të historisë, ishte paksa absurde. Kjo tregoi që ndoshta edhe BE-ja nuk është e qartë se çka është ky ‘kompromis i dhimbshëm’“.

“Mirëpo, po e shoh si një strategji që së paku t’i përgatisin të dy palët për një marrëveshje, e cila nuk do të jetë vetëm fitues- fitues, por edhe humbës-humbës. Mirëpo, asnjëherë BE-ja nuk ka qenë e qartë në dërgimin e mesazheve të tilla”, theksoi Emini.

Pacolli: Kosova nuk ka më asgjë për t’i ofruar Serbisë
Përkundër përpjekjeve të Rados Evropa e Lirë për të marrë një koment nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, se çfarë nënkupton për ta “kompromisi i dhimbshëm”, ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Por, nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje, deputetja Fitore Pacolli, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që Kosova ka bërë mjaft kompromise, kur bëhet fjalë bër dialogun me Serbinë dhe se tash, ajo nuk duhet të pranojë kompromise të dhimbshme, të cilat do të sillnin vetëm dëme.

“Tashmë ne jemi në një situatë ku Kosova nuk është në gjendje të bëjë kompromise, sepse ato do të rrezikojnë shtetin, do të sfidojnë të drejtën tonë për të ardhmen”, ka theksuar Pacolli, duke shtuar se Kosova “nuk ka më asgjë për t’i ofruar Serbisë”.

Sipas saj, Kosova ka qenë e bllokuar që të zhvillohet si shtet pikërisht për shkak të ndërhyrjeve të Serbisë, e cila “në asnjë moment nuk ka pranuar fajin për krimet që ka bërë”.

Siç thekson Pacolli, zgidhja më e mirë do të ishte që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Tash është koha që Serbia ta pranojë fajësinë e saj, të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë, të kthej trupat e personave të zhdukur, të paguaj dëmin e luftës dhe pastaj ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, sepse Serbia i ka sjellë aq shumë dëme Kosovës, sa që më nuk ka të drejtë të kërkojë asgjë nga Kosova”, tha Pacolli.

Ajo ka shtuar që Kosova dhe Serbia duhet të shkojnë drejt BE-së si dy shtete të pavarura, bashkë me shtete tjera në rajon.

Fjala e papeshë e faktorit ndërkombëtar dhe vijat e kuqe të palëve
Analisti Rashiti, thotë se është e vështirë që në detaje të definohet kompromisi i cili kërkohet nga Kosova dhe Serbia për përmbylljen e kontestit mes tyre. Sipas tij, shqetësues mbetet fakti që përkundër dy letrave që presidenti i SHBA-së, Donald Trump u ka dërguar autoriteteve të larat në Kosovë dhe Serbi, ku flitet për njohje eksplicite të ndërsjellë, të dyja palët besojnë pak që kjo është e arritshme në këtë proces.

Gjithashtu, sipas tij, përkundër faktit që Gjermania dhe kancelarja e saj, Angela Merkel, në vazhdimësi kanë thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën, Serbia ka bërë pak ose fare përparim në këtë drejtim, ndërkohë që Kosova beson pak ose fare që mund të ketë njohje nga Serbia.

“Faktori ndërkombëtar e ka humbur peshën e fjalës së vet kur flet për kompromisin dhe kornizën. Këtu nuk është më telashja se cili është kompromisi dhe formulimi i tij, sidomos nga perspektiva e Kosovës, por si do të përmbyllet ky proces. Faktori ndërkombëtar ka vite që e shtyen ‘jo këtë vit, por vitin e ardhëm’. Tash sërish thuhet njëjtë. Nuk e kemi të formuluar përfundimin e këtij procesi. Natyrisht që nuk është vetëm për fajin e tyre, por edhe për fajin e palëve të cilat po devijojnë”, thotë Rashiti.

Ai shtoi se vazhdimësia e mjegullt rreth përcaktimit përfundimtar të procesit të dialogut, ka bërë që edhe besimi i politikës dhe i qytetarëve në këtë proces të ulet edhe më tej.

Por, analistja Emini vlerëson që elitat politike në Kosovë dhe në Serbi janë krejtësisht të papërgatitura për ndonjë epilog të dialogut. Siç thotë ajo, Kosova nuk e ka idenë se çfarë do të duket si fitore dhe si do të dukej kompromisi, Ndërkaq, sipas saj, pala serbe, në narracionin e brendshëm këmbëngulë që nuk do ta njohë Kosovën dhe këtë e bën edhe përmes mediave që i kontrollon pushteti i atjeshëm.

“Do të thotë, ata vazhdimisht kanë një narrativ, i cili për publikun në Serbi nënkuton mesazhin që këto dy vende janë në prag të luftës. Në anën tjetër në Kosovë, qeveria ka deklarata vetëm për konsum publik, por të cilat ky i fundit më as që i beson. Kjo sidomos me atë që është nënshkruar në Uashington, ku ka pasur ‘vija të kuqe’ për mini-Schengenin dhe ai u nënshkrua. Qysh tash, kryeministri Hoti po pretendon që ka vija të kuqe për diskutimet mbi Asociacionin“.

Mirëpo, një trend i qartë po shihet që do të na dërgojë prap te kjo çështje. Vijat e kuqe në Kosovë nuk kanë qenë aq të qarta sa në Serbi. Këto vija të kuqe janë shumë fleksibile, sepse janë lëvizur dhe janë shkelur dhe ato më nuk i besoj as vet kryeministri, por as opinini publik”, theksoi Emini.

Ajo shtoi se kjo situatë e bën Kosovën më të dobët në negociata, por edhe më të paparashikueshme në këtë dialog.

Emini shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmjetësuar Kosovën dhe Serbinë për një marrëveshje të aspektit ekonomik, por në aspektin politik nuk e kanë zbërthyer këtë marrëveshje.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky dialog ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të afruar palët drejt normalizimit të raporteve dhe në këtë kuadër, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik.

Exit mobile version