Gjykata Kushtetuese ka bërë me dije se autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për zbatimin e të dy vendimeve, përfshirë atë të vitit 2016 në rastin e pronës së Manastirit e Deçanit.
Kushtetuesja me këtë rast ka vendosur të njoftohet Prokurori i Shtetit përkitazi me dy Aktvendimet për Mospërmbarim.
“Gjykata riktheson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës”.
Pas këtij njoftimi, ka ardhur reagimi i shteteve të Quintit të cilat kanë dalur me një deklaratë të përbashkët.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e marrin parasysh dhe mirëpresin deklaratën unanime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 24 shtator lidhur me moszbatimin e vendimeve të mëhershme të saj, përfshirë edhe të vendimit të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Është shqetësuese se Gjykata Kushtetuese e Kosovës detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve ekzekutive të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit në këto raste më se të vonuara.
Siç është theksuar në deklaratën e shteteve të Quint-it të datës 19 maj, respektimi i sundimit të ligjit është obligim i të gjitha qeverive. Ne e nxisim fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë pa vonesë me zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbështetja e Kosovës për sundim të ligjit dhe gjyqësor të pavarur bazohet në zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendimeve të Gjykatës, pavarësisht mospajtimeve politike” thuhet në reagim.