Site icon PrishtinaPress

Njësia Speciale e Policisë e angazhuar në hetimet për vrasjen në Prishtinë

Në mesin e njësive të shumta policore që janë angazhuar në hetimin e konfliktit me armë zjarri që ndodhi mbrëmë në Prishtinë, e që la të vrarë dy persona, është angazhuar edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Kështu ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi.

“Të gjitha njësitë policore, edhe Njësitë Speciale janë angazhuar nga qendra operative e Policisë. Është angazhuar një numër i konsiderueshëm i madh i policëve edhe në bastisje edhe tek kontrolli i veturave”, tha Gashi, për Kallxo.com.

Gashi ka thënë se numri i personave që janë angazhuar për të hetuar këtë rast është numër i madh, teksa shtoi se një varg i veprimeve hetimore është kryer deri më tani e që të njëjtat po vazhdojnë tutje.

Nga hetimet e para që janë kryer është zbuluar se në rasti janë përdorur armë të gjata e armë të shkurta.

Kryeprokurori tha se në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë arritur të gjejnë gëzhoja të plumbave që i takojnë armëve të gjata dhe të shkurta.

Ai tregoi se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat e këtij rasti e edhe për të arrestuar dy personat e dyshuar, të cilët tashmë janë identifikuar.

E gjithë ngjarja e këtij incidenti me armë zjarri u zhvillua në mes dy grupeve në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë.

Një burrë vdiq dje në vendin e ngjarjes, më 26.03.2024 dhe një grua tjetër vdiq sot, më 27.03.2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e këtij incidenti.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima Z.G 48-vjeçare, është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj, nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

“Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast” – thuhet në njoftimin e Policisë më 27.03.2024.

Sipas Policisë, janë në kërkim të dy personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e forcave të rendit, ndërsa siç mësohet dy persona të tjerë janë ndaluar për këtë rast

Exit mobile version