Site icon PrishtinaPress

Njeriu i parë i CIA-s shkon në Beograd pas Sarajevës

Drejtori i CIA-s, William Joseph Burns zhvilloi sot një takim në Sarajevë me drejtoreshën e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (OSA) Allmir Xhuvo, dhe më pas shkoi edhe në Presidencën e BeH, ku zhvilloi takime me anëtarë të Presidencës së vendit dhe ministrin e jashtëm, Elmedin Konakoviq.

Ky i fundit zbuloi detaje të bisedës.

Konakoviq, vizitën e drejtorit të CIA-s e konsideroi si shumë të rëndësishme.

“Ky është një konfirmim që ShBA i mban në krye të prioriteteve këto zona tona, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën. Kjo do të thotë shumë për stabilitetin e rajonit tonë. Ardhja e njeriut të parë të CIA-s është mesazhi më i qartë i administratës amerikane për të gjithë në rajon dhe në botë se administrata amerikane është shumë e pranishme”, tha Konakoviq për median boshnjake “Avaz.ba”, transmeton Klankosova.tv.

Ai tha se Burns do të vazhdojë vizitën e tij në rajon.

“Sigurisht që është. Ai do të shkojë në rajon nëpër disa destinacione të tjera dhe kjo tregon se ata po trajtojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor si një tërësi, gjë që është shumë e rëndësishme për ne. Është gjithashtu e rëndësishme për ne që të qetësohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të qetësohen disa pika të nxehta, t’i drejtohemi ekonomisë dhe ardhmërisë së këtij rajoni, e jo konkurrencës dhe bërtitjes së vazhdueshme mbi faktet historike. Është e sigurt se edhe prania amerikane shkon në atë drejtim – në drejtim të stabilizimit të marrëdhënieve në rajon dhe kthimit në atë që është më e rëndësishme për qytetarët”, ka potencuar Konakoviq.

Media tjetër boshnjake, istraga.ba ka raportuar se vizita e radhës e shefit të CIA-s do të jetë Beogradi.

“Pas vizitës së tij në Sarajevë, Drejtori i CIA-s, William Joseph Burns, po udhëton për në Beograd sot për takime me zyrtarë serbë”, ka raportuar ky medium duke u thirrur në burime. 

Exit mobile version