Njëri nga ish-themeluesit e LDK-së, profesori Milazim Krasniqi, ka demantuar shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotin sa i përket çështjes se a ka pasur partia e tyre Ministër të Mbrojtjes para 28 vjetëve, apo jo.
Krasniqi ka thënë se Hoti është “djalë i ri dhe flet për gjëra që nuk i di”. Ai ka thënë se Ahmet Krasniqi ka qenë ministër i Qeverisë së Bujar Bukoshit dhe jo i LDK-së.
Përmes një komenti, Krasniqi ka argumentuar duke dhënë sqarime edhe nga takimi që ai kishte pasur vite më parë me Ahmet Krasniqin.
Ky është komenti i plotë:
LDK-ja NUK PATI MINISTËR TË MBROJTJES PARA 28 VJETËVE
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, sot e paska përmendë në Kuvend ish ministrin e mbrojtjes, Ahmet Krasniqin, në kontekst të pandehmës se LDK-ja ka pasur ministër mbrojteje para 28 vitesh. Ky shefi është djalë i ri dhe flet për gjëra që nuk i di.
E vërteta është se Ahmet Krasniqi ka qenë ministër i mbrojtjes në qeverinë e Bukoshit, por ka qenë i zgjedhur nga Bukoshi, e jo nga LDK-ja. (Në qeverinë tonë në ekzil, vetëm Bukoshi ka qenë anëtarë i LDK-së, asnjë tjetër!!!)
LDK-ja nuk e ka pranuar Ahmetin si ministër të vetin! Këtë e di nga dora e parë, pasi kam pasur nderin ta takoj në maj 1998 në Tiranë dhe të bisedoj gjatë me të. Bile, kërkesat e tij ia kam përcjellë direkt Rugovës. Por, Rugova pati refuzuar të merrte ndonjë obligim, duke më thënë se Bujari “ia ka marrë kuleten!”
Kërkesat e kolonel Ahmet Krasniqit ia kam përcjellë edhe Agim Krasniqit, i cili ishte koordinator i degëve të LDK-së dhe përgjegjës për organizim në Kryesinë e saj. Ai më pati thënë tekstualisht se “LDK-ja nuk ka ministër të mbrojtjes”, për ç’arsye nuk donte ta takonte Ahmetin e as të kishte kontakte me të.
Pra, çdo pandehmë si ajo e Hotit, është e pavërteë. Po ta kishte mbështetjen dhe ndihmën e LDK-s në atë kohë kolonel Ahmet Krasniqi, jam i bindur se do të linte trashëgimi shumë më të madhe në kauzën çlirimtare ai vetë po edhe LDK-ja. Ata që e kanë njohur kolonelin dhe LDK-në e asaj kohe, e dinë këtë gjë. Ndërsa, ata që nuk e dinë të vërtetën, bëjnë më mirë të mos flasin, sepse vetëm po shkretojnë. (14 mars 2018).