8.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Njëri i akuzuar pranon fajësinë për vrasjen me thikë në Fushë-Kosovë, tjetri deklarohet i pafajshëm

Në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Atdhe Musliu pranoi fajësinë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Labinot Bajrami u deklarua i pafajshëm. Musliu dhe Bajrami akuzohen se në bashkëkryerje privuan nga jeta tani të ndjerin A.H, duke e goditur me thikë në kraharor.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit Musliu dhe Bajrami e bënë të martën, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Armend Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Behar Ejupi, tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale si dhe rezervon të drejtën për të parashtruar kërkesë pasurore-juridike.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Musliu, mbrojtësi i tij, avokati Taulant Broqi i ka propozuar gjykatës që të mbrojturit të tij t’ia aprovojë pranimin e fajësisë.

Ndër të tjera. avokati Broqi tha se gjatë matjes të dënimit gjykata duhet t’i marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, korrektësinë para gjykatës dhe pendimin e thellë që e ka për këtë çështje.

Prokurori i çështjes, Armend Hamiti ka deklaruar se marrë parasysh se vepra është në bashkëkryerje, në këtë rast nuk pajtohet me pranimin e fajësisë.

Ai i propozoi gjykatës që këtë pranim-pendim ta kenë parasysh në fund të këtij shqyrtimi, si dhe propozoi që të vazhdohet shqyrtimi gjyqësor me dy të pandehurit për zbardhjen e gjendjes faktike.

Lidhur me këtë, avokati Ejupi tha se pajtohet me të thënat nga prokuroi i çështjes Hamiti lidhur me deklarimin për të akuzuarin Musliu, si dhe ka shtuar se gjatë administrimit të provave do të vërtetohet se nuk kanë të bëjnë me veprime të atëçastshme.

Më pas, gjykatësi Ngadhnjim Arrni ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Musliu.

Pasi që palët u pajtuan, seanca për caktimin e dënimit u caktua të mbahet më 27 shtator 2023.

Ndërkaq, për të akuzuari Bajrami, i cili u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Arrni të njëjtin e njoftoi se brenda afatit ligjor ka të drejtë të bëjë kërkesë për kundërshtimin ndaj provave dhe hudhje të aktakuzës.

Ndryshe, në fillim të seancës, mbrojtësit e të akuzuarve Musliu dhe Bajrami, avokatët Broqi dhe Zeqiri thanë se janë pajisur me shkresa të lëndës dhe janë të gatshëm për të vazhduar me seancë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H, i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim e privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerjeje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.

Me këtë, Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img