12.7 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Njerëz të lidhur me ministrin Elbert Krasniqi marrin mbi 300 mijë € nga qeveria?

Lidhjet e forta me pushtetin bënë që dy shoqata humanitare nga Peja e Klina të përfitojnë mbi 335 mijë euro nga një fondacion i Qeverisë së Kosovës për kuzhinat popullore. Bëhet fjalë për “Shoqatën Humanitare Pejane” dhe “Vëllezërit e Diasporës të Fadil Dukagjinit”, të drejtuara nga dy njerëz të afërt me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe partinë e tij, shkruan Paparaci.

Mbi 300 mijë euro të Qeverisë së Kosovës të dedikuara për financimin e kuzhinave popullore dyshohet kanë përfunduar në menaxhimin e njerëzve të afërt me një ministër të Qeverisë së Kosovës.

Dy njerëz të lidhur me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe me partinë e tij, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), kanë përfituar nga fondet e qeverisë për financimin e kuzhinave popullore.

“Shoqata Humanitare Pejane”, e drejtuar nga Gazmen Polaca, një njeri i afërt me ministrin Krasniqi dhe funksionarë të tjerë të IRDK-së, ka përfituar 158 mijë euro nga thirrja publike e Ministrisë së Financave për financimin e kuzhinave popullore.

Rreth 177 mijë euro nga fondi i qeverisë për financimin e kuzhinave popullore, i ka përfituar edhe shoqata “Vëllezërit e Diasporës”, e cila udhëhiqet nga Fadil Ajrizaj, një person i afërt me ministrin Krasniqi dhe rrethin e tij politik.

“Shoqata Humanitare Pejane”, e cila ndodhet në Pejë, ka hapur kuzhinën popullore humanitare më 2021, në vitin kur ka përfituar ndihmën e parë financiare nga qeveria. Zyrat e selisë së shoqatës janë të mbuluara me logo të IRDK-së, partisë së ministrit Elbert Krasniqi, bazuar në disa dëshmi të cilat i ka siguruar Paparaci.

Lidhjen e Gazmend Polacës, shefit të “Shoqatës Humanitare Pejane” me ministrin Krasniqi dhe këshilltarët e tij politikë, e dëshmojnë edhe disa fotografi mes tyre të shoqëruar me njëri-tjetrin.

Pas nënshkrimit të kontratave ndërmjet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe shoqatave, në të njëjtën ditë përfaqësuesit e të dy shoqatave janë pritur në takim nga ministri Krasniqi.

I kontaktuar nga të martën, Gazmend Polaca, nuk e ka mohuar afërsinë e tij shoqërore me ministrin, por ka mohuar ndikimin e Krasniqit në procedurat e përfitimit të fondeve nga qeveria.

Polaca i ka thënë se gjatë këtij viti kanë përfituar 71 mijë euro nga thirrja e qeverisë për financimin e kuzhinave popullore, ndërsa vitin e kaluar 87 mijë euro. Në total, kjo shoqatë ka përfituar rreth 158 mijë euro nga fondet e qeverisë.

“Po gjatë këtij viti kemi përfituar 71 mijë euro, ndërsa vitin e kaluar kemi përfituar 87 mijë. Elbertin e kom pas shok, dhe vazhdoj me pas shok, por nuk ka qenë kjo arsyeja e përfitimit të kësaj mase”, ka thënë Polaca.

Gazmend Polaca në mbledhje politike të Degës së IRDK-së në Pejë
Gazmend Polaca në mbledhje politike të Degës së IRDK-së në Pejë

Ai i ka komentuar edhe logot dhe mbishkrimet e IRDK-së në zyrat e shoqatës.

“Po, ajo ka qenë zyra e IRDK-së, por në momenti kur e kanë lëshuar ata ne e kemi marr me qira”, ka thënë Polaca.

Shoqata “Vëllezërit e Diasporës të Fadil Dukagjinit” është regjistruar si Organizatë Jo-qeveritare në vitin 2020. Ajo ka selinë në Klinë.

Brenda dy viteve të ardhshme, më 2021 dhe 2022, kjo shoqatë humanitare ka përfituar rreth 177 mijë euro nga thirrja publike e Ministrisë së Financave për financimin e kuzhinave popullore.

“Vëllezërit e Diasporës të Fadil Dukagjinit” drejtohet nga Fadil Ajrizaj, një person i cili është shfaqur i afërt me ministrin Krasniqi dhe anëtarët e kabinetit të tij, tregojnë disa fotografi të cilat i ka siguruar Paparaci.

Një fotografi e publikuar në rrjetin social Facebook në shkurt të vitit 2022, shfaq Ajrizajn në shoqërinë e Muharrem Asllanit, këshilltarit të ministrit Elbert Krasniqi.

“Respekt për këtë vëlla që maksimumin pe jep në përkrahjen e shoqatave”, thuhet në shkrimin e Ajrizajt mbi fotografinë me këshilltarin e ministrit.

Fotografi të tjera dëshmojnë për vizitat e ministrit Krasniqi në shoqatën e Ajrizajt në Klinë.

Ministri Elbert Krasniqi në vizitë te shoqata “Vëllezërit e Diasporës te Fadil Dukagjini”

Ajrizaj, në një prononcim ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me ministrin Elbert Krasniqi.

Ai ka thënë se është simpatizues i subjektit “Lëvizja për Bashkëveprim”.

“Jo nuk kam asnjë raport me ministrin Krasniqi, madje jam simpatizues i Lëvizjes për Bashkëveprim”, ka thënë shkurt Ajrizaj.

Qeveria e Kosovës, në shkurt të këtij viti ka nënshkruar marrëveshjen për financimin e 19 kuzhina humanitare, në vlerë prej 1.2 milion euro.

Paparaci, ka provuar të kontaktojë me ministrin Krasniqi të martën, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon. /

Fadil Ajrizaj, kryetar i shoqatës "Vëllezërit e Diasporës te Fadil Dukagjini", në takim me nënkryetarin dhe sekretarin e IRDK-së
Fadil Ajrizaj, kryetar i shoqatës “Vëllezërit e Diasporës te Fadil Dukagjini”, në takim me nënkryetarin dhe sekretarin e IRDK-së

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img