Mënyra se si kujdesemi për trupin dhe mendjen tonë në të tridhjetat dhe të dyzetat, mund të ketë një ndikim afatgjatë në shëndetin, vitalitetin dhe pavarësinë tonë në moshën më të vjetër. “Zakonet që ne ndërtojmë tani përcaktojnë se si plakemi”, thotë mjeku Thomas Holland për Parade.
Ai shton se kujdesi i përditshëm është çelësi i një jete të shëndetshme dhe të gjatë me më pak sëmundje. Edhe pse tingëllon e thjeshtë, shkencëtarët kanë konfirmuar se një zakon i përditshëm mund të zgjasë jetën tuaj deri në dhjetë vjet.
Sipas një studimi të botuar në vitin 2023, adoptimi i zakoneve më të shëndetshme të të ngrënit – veçanërisht dietës mesdhetare – mund të zgjasë jetëgjatësinë me 10.8 vjet te meshkujt dhe 10.4 vjet te femrat. Kjo dietë bazohet në konsumimin e drithërave, frutave, perimeve, peshkut, mishit të bardhë dhe produkteve të qumështit, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv
Mjekja Holiday Durham thekson se dieta mesdhetare redukton inflamacionin, mbështet shëndetin e zemrës dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kronike si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe disa forma të kancerit. Gjithashtu ndihmon në ruajtjen e një peshe të shëndetshme trupore dhe mbron funksionet njohëse që bien me kalimin e moshës.
Përveç zgjatjes së jetës dhe ruajtjes së shëndetit, dieta mesdhetare inkurajon kënaqësinë e ushqimit dhe vakteve të përbashkëta. “Ushqimi nuk është vetëm karburant – ai është gjithashtu një burim kënaqësie dhe një mënyrë për t’u lidhur”, thotë Durham.
“Gëzoni ushqimet mesdhetare me familjen ose miqtë. Kjo e bën ushqimin e shëndetshëm më të këndshëm dhe forcon lidhjet sociale, të cilat janë gjithashtu çelësi i jetëgjatësisë”, përfundoi Holland.