-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë ku u vra polici Afrim Bunjaku – heroi i Kosovës 

Sot, një vit më parë në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur i prirë nga kryeterroristi Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës, ku për pasojë vdiq zyrtari policor, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. 

Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiqi, i cili besohet se gjendet në Serbi.

Në aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe 44 personave të tjerë, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”, i cili bashkë me pjesëmarrësit e tjerë, më 24 shtator, 2023, në orën 01:00, pasi që kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë dhe pastaj janë fshehur, kanë sulmuar zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët kanë shkuar për t’i hequr kamionët dhe për të liruar rrugën.

Me këtë rast është vrarë zyrtari policor Bunjaku, është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti, dhe janë lënduar zyrtarët tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi.

Ky sulm ka vazhduar deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e këtij grupi është arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata kanë qenë “të trajnuar në mënyrë profesionale” dhe se kanë hyrë ilegalisht në Kosovë nga Serbia “përmes rrugëve malore“ dhe me dhjetëra vetura, “disa prej tyre të blinduara dhe të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake”.

Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator, 2023, kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, Millan Radoiçiq ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, pjesa më e madhe e të cilave janë përdorur për armatim të rëndë, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesën e pjesëmarrësve të grupit.

Në aktakuzë thuhet se një pjesë e të hyrave të tij buron nga “aktiviteti kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të pandehurit Radulle Steviq – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq B.I”.

Sipas aktakuzës, ai i ka konvertuar paratë në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ndërsa një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar edhe te personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

Dëshmitë e kolegëve të Afrim Bunjakut

Në aktakuzë përshkruhet në detaje ngjarja se si erdhi deri te vrasja e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Tetë pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilët kishin arritur të parët në Banjskë, kanë shpjeguar në dëshmitë e tyre se si rreth orës 02:00 të mëngjesit të 24 shtatorit, 2023, kishin vërejtur bllokimin e rrugës në hyrje të fshatit Banjskë.

Pjesëtari i policisë së Kosovës, Alban Rashiti, ka treguar se kamionët e vendosur në mes të rrugës, i kishin vërejtur në kohën kur po ktheheshin nga pika kufitare në Izvor.

Pasi kishin parë kamionët, Rashiti dhe kolegët e tij kanë thënë se janë udhëzuar që të kontrollojnë edhe rrugë të tjera, për të parë nëse ishin vendosur bllokada.

Pas këtij momenti, drejt Banjskës ishin dërguar njësi të tjera nga stacioni policor i Zveçanit.

“Dhoma Komanduese i ka informuar që ka dërguar njësi shtesë për të ardhur në vendin e ngjarjes dhe, po ashtu, atyre u është thënë që të kthehen dhe të qëndrojnë në lokacion dhe të bëjnë foto të kamionëve, të cilët kanë bllokuar rrugën dhe t’ua dërgojnë”, thuhet në aktakuzë.

Pas rreth 20 minutash, aty kanë arritur njësi shtesë, e në njërën prej veturave ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku.

Bunjaku dhe një koleg tjetër ishin nisur drejt kamionëve që bllokonin rrugën dhe papritmas kishte ndodhur një shpërthim.

“Në ato momente ka vërejtur që rreshteri (Afrim Bunjaku) ka mbetur i shtrirë në tokë”, thuhet në aktakuzë.

Pjesëtari tjetër i policisë së Kosovës, Çlirim Shaqiri, ka deklaruar se si ishte munduar që ta tërhiqte nga vendi i ngjarjes rreshterin Afrim Bunjaku pas plagosjes.

“Është afruar tek ai dhe e ka vërejtur se plagët e tij janë në fyt dhe ka gjakderdhje”, por e kishte të pamundur ta tërhiqte, thuhet në aktakuzë.

“Ai kishte provuar sërish ta kryente tërheqjen, kësaj here përmes veturës… Sulmuesit me armë kanë shtënë në drejtim të tij dhe kanë arritur ta godasin veturën, e cila është fikur… Ka mbetur brenda në veturë, pasi nuk ka mundur të dilte prej saj nga të shtënat e shumta në drejtim të tij”, përshkruan aktakuza momentin e sulmit.

Bunjaku ishte tërhequr më pas, përmes një veture tjetër dhe ishte dërguar drejt Mitrovicës së Jugut.

Duke qenë në numër të ulët dhe duke parë artilerinë e rëndë që po i sulmonte, policët kishin provuar të tërhiqeshin nga sulmi, por në ato momente atyre iu kanë ardhur përforcime, përfshirë automjete të blinduara, sipas aktakuzës.

Aty thuhet se konfrontimet kanë zgjatur disa orë dhe se zyrtarët policorë të Kosovës e kanë pasur të mundur t’i përgjigjen sulmit efektivisht deri në fund, pas ardhjes së njësive shtesë.

Në fund të aktakuzës, prokurori i rastit thotë se për shkak të rrezikshmërisë së madhe dhe pasojave, të cilat mund t’i shkaktojnë veprat e kryera penale, “në legjislacionin tonë janë paraparë dënime shumë të rënda, për çka, me rastin e matjes së dënimit kundër të pandehurve, i propozojmë gjykatës që t’i marrë parasysh”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img