Një veturë është përfshirë nga zjarri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën ‘C’ në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha për Sinjalin se vetura është djegur tërësisht, teksa në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante.
Nuk raportohet për persona të lënduar, teksa nuk dihen ende shkaqet e zjarrit.
“Sot rreth orës 04:30, është raportuar se në rrugën “C” në Prishtinë , një veturë është përfshirë nga zjarri, e cila është dëmtuar tërësërisht. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin”, tha Ahmeti.
Ndërkohë, sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet se vetura e shkrumbuar.

