Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhvilluar një tjetër operacion në veri të Kosovës me qëllim të gjetjes së pajisjeve të kriptovalutave. Pajisjet e reja janë zbuluar në vendbanimin Borçan.
Aksioni është kryer rreth orës 15:00. Janë kontrolluar dy shtëpi.
“Gjatë bastisjes kemi hasur në 55 platforma për prodhimin e kriptovalutave”, ka thënë zëvendës komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani.
Pajisjet janë konfiskuar nga dogana e Kosovës, e cila zakonisht merret me raste të tilla.
Askush nuk u ndalua.
Ky është aksioni i katërt i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës lidhur me nxjerrjen e kriptovalutave në më pak se dy javë.
Në mesin e muajit prill në komunën e Zubin Potokut janë konfiskuar 174 pajisje, dy ditë më vonë janë konfiskuar 21 pajisje në Suhodoll dhe më 18 prill 12 të tjera janë gjetur në Banjskë.