6.2 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Një shtet si Austria, a është duke i dalë kundër Kosovës?

Zëvendëskancelari i Austrisë, Heinz-Christian Strache, ka dhënë mendimin e tij pas asaj se BE-ja dëshiron ta bindë Serbinë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Gazeta Express, sjell për lexuesit të gjitha deklaratat dhe reagimet çfarë janë bërë ditën e diele ndaj qëndrimit të zv/kancelarit të Austrisë.

Ka thënë se Serbia ka forcuar ‘shpinën’ e vetë në raport me Kosovën.

“Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”, ka thënë kreu i FPÖ-së për gazetën e Beogradit “Politika”.

Gjithashtu gjatë ditës së djeshme, ai gjithashtu ka thënë se veriu i Kosovës duhet të ketë të drejtën e vetëvendosjes, ndërsa ka shtuar se presioni ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën është rrugë e gabuar.

Idenë për negociata për ndarjen e Kosovës e kanë përkrahur edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryediplomati grek Nikos Kotzias. Në këtë pazar është përfshirë edhe lideri i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, në Presidencë kanë thënë se në këtë fazë ideja e shkëmbimit të territoreve është spekulim.

Në anën tjetër, në Qeveri kanë thënë se as në këtë fazë dhe as në faza tjera s’do të ketë skenar për ndarjen dhe shkëmbimin e territorit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e ka konsideruar si te pamatur deklaratën e Zëvendëskancelarit austriak Heinz-Christian Strache, se duhet t’i jepet autonomi Veriut të Kosovës. Pacolli ka thënë se idetë e tilla sjellin gjakderdhje.

“Deklaratat si kjo e zëvendëskancelarit të Asutrisë janë të pamatura dhe nuk kontribuojnë në zgjidhjen e asnjë situate të acaruar në Kosovë”, ka thënë për Express Zëvendëskryeministri dhe njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli.

“Ne falënderojmë Austrinë për kontributin e madh që ka dhënë në Kosovë dhe rajon, por e kundërshtojmë fuqishëm deklaratën e zëvendëskancelarit, duke konsideruar se ajo deklaratë është dhënë pa e njohur mirë situatën reale në Kosovë”, ka shtuar ai.

Kryediplomati kosovar ka kundërshtuar edhe idetë tjera për shkëmbim territoresh e ndarje të Kosovës. Ai ka thënë se ide të tilla sjellin luftëra.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kishin thënë se në këtë fazë është spekulim çdo ide që çon në shkëmbim të territoreve me Serbinë. Por, nuk kishin mohuar nisjen e bisedave joformale me palën serbe për këtë ide.

Sidoqoftë, Bekim Çollaku ka thënë se marrëveshja historike me Serbinë duhet t’i garantojë Kosovë anëtarësim në OKB dhe integrim euro-atlantik.

Ndërkohë, gazetari Berat Buzhala ka shkruar se Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Ali Ahmeti kanë biseduar për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Ka sqaruar se një skenar i tillë do të vlejë vetëm për ndryshimin e kufijve të Kosovës, por jo edhe të vendeve tjera ballkanike.

“Presidenti Thaçi, Kryeministri Rama dhe Kryetari i BDI’se Ali Ahmeti, kane biseduar ne Tirane për ndarjen e Kosovës, per vizatimin e kufijve ne Ballkan, e per idiotesi te tilla te ngjashme. Nje gjë e tille, nje skenar i tille, nuk do te ndryshoje kufijte a as nje shteti, perveç kufijve te Kosovës”, ka shkruar Buzhala, në një postim në Fb, duke cituar edhe Zëvendëskryeministrin e Austrisë, Heinz-Christian Strache, i cili ka propozuar një autonomi për Veriun e Kosovës.

Express ka raportuar të premten mbrëma se klasa udhëheqëse në Kosovë, nën orkestrimin e Presidentit Hashim Thaçi, pasi dështoi ta zhbëjë Tribunalin Special, e ka filluar një aventure të re, po aq të rrezikshme, po ashtu të dyshimtë: ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë. Kuptohet, kjo ide fillimisht do të provohet të kontrabandohet në opinion, si këmbim i territoreve.

Edhe Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka thënë se ndryshimi i kufijve s’mund të bëhet pa tragjedi dhe humbje të jetëve të njerëzve. Ka thënë se ndryshimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve pashmangshëm sjell edhe luftëra të reja dhe po propozohet nga aventurierë politikë.

Sipas profesorit të UP’së, Milazim Krasniqi,nuk do të ketë shkëmbim paqësor territoresh, por do të ketë vetëm vetëm skenar sirian, me Rusinë si arbitër kryesor.

Në të njëjtën frymë, pra për të njëjtin skenar për ndarje dhe shkëmbim territoreresh, është shprehur ditë më parë edhe Aleksander Vulin, Ministër i Mbrojtjes së Serbisë.  Ai ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, “nuk është duke dhënë rezultate, andaj duhet të kërkohet një marrëveshje për ndarjen e Kosovës”.

Ndërkombëtarët besojnë se në këtë lojë është i përfshirë edhe Kryeministri Edi Rama, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkte me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Një gjë e tillë, një komunikim i tillë, direkt me Tiranën vazhdimisht ka qenë edhe pjesë e strategjisë serbe. Edhe gjatë kohës kur në Serbi ka qanë në pushtet Sllobodan Millosheviqi ka ekzistuar ideja që për Kosovën të bisedohet vetëm me Shqipërinë – kuptohet për ta ndarë Kosovën.

Kosova dhe Serbia kanë mbajtur tri raunde bisedimesh prej vitit 1999. Në kohën e luftës ishte organizuar Konferenca e Rambouillesë për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti ishte nënshkruar vetëm prej palës kosovare, derisa serbët kishin refuzuar duke i hapur kështu rrugë bombardimit 78 ditor të NATO’s mbi caqet ushtarake e policore serbe.

Pas luftës kishte nisur edhe një proces negociator, ku ishte caktuar Vjena si vend ku takoheshin kosovarët dhe serbët. Marti Ahtisaari ishte caktuar ndërmjetës kryesor duke propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Një proces i tretë dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2010 me ndërmjetësim të Brukselit dhe mbikëqyrje të SHBA’së. Ende nuk ka një rezultat final prej këtij procesi.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img