Një raport i ri gjerman tregon se si presidenti kinez Xi Jinping personalisht i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom, që “të vonojë një paralajmërim global” në lidhje me kërcënimin COVID-19 gjatë një bisede në janar.
Gazeta gjermane Der Spiegel publikoi akuzat këtë fundjavë, duke përmendur një raport nga Shërbimi Federal i Inteligjencës i vendit, i njohur si ‘Bundesnachrichtendienst’ (BND)
Disa orë pasi lajmet dolën në dritë, OBSH lëshoi një deklaratë duke i quajtur të dhënat “të pabaza dhe të pasakta”.
Sipas BND-së gjermane, “Më 21 janar, udhëheqësi kinez Xi Jinping i kërkoi shefit të OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus që të përmbajë informacionet në lidhje me transmetimin njeri-në-njeri dhe të vonojë paralajmërimin e një pandemie”.
Ky raport vlerëson se fshehja e Kinës bëri që bota të humbiste katër deri në gjashtë javë të vlefshme për të luftuar virusin.
Ndërsa OBSH reagoi përmes një deklarate: “Tedros dhe presidenti Xi nuk folën më 21 janar dhe kurrë nuk kanë folur në telefon. Raporte të tilla të pasakta shpërqendrojnë dhe dëmtojnë përpjekjet e OBSH dhe botës për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19”.
Nëse të dhënat nga shërbimi i inteligjencës gjermane do të konfirmoheshin, deklarata e Donald Trump se OBSH është “përqendruar në Kinë” do të fitonte mjaft reputacion. Në prill, qeveria amerikane pretendoi se OBSH po bëhej një mjet “propagande kineze” dhe presidenti vendosi të ndalojë financimin e organizatës.
Në fakt, një raport i Departamentit të Sigurisë së Brendshme akuzon Kinën se “fshehu qëllimisht” pandeminë në fillim të janarit dhe mbajtjen e furnizimeve mjekësore. Dokumenti me katër faqe, i datës 1 maj dhe i marrë nga Associated Press, vë në dukje se Kina minimizoi publikisht virusin.