Qytetari nga Prishtina, Petrit Bylykbashi thotë se është infektuar për të dytën herë me coronavirus.
Këtë e ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook.
Ai thotë se virusi i është kthyer pas tre muajsh, që ishte shëruar.
“Mbas 4 ditëve ren të rishfaqjes së simptomave dhe një konsulte/përcjellje të gjendjes disa orëshe maratonike bashkë me Naser Ramadanin vendosem që unë me u ritestu për Covid-19, fatkeqësisht rezultova Pozitiv ne SARS-CoV-2 përsëri, virusi mu kthy afërsisht 3 muaj mbas shërimit dhe kësaj here shumë me agresiv, po sulmon aty ku ka demtu herën e pare, direkt në mushkëri”, ka shkruar ai.
Bylykbashi thekson se pas rastit të parë nuk është ruajtur nga virusi pasi ka menduar se nuk i kthehet më.
“Të jem real, duke qenë i bindur plotësisht që nuk kthehet virusi, nuk jam ruajt as për një moment të vetëm dhe kontakt me njerëz te infektuar kam pas në shumë raste. Herën e pare fatmirësisht nuk është infektu askush nga unë, po uroj qe kjo e njëjta me ndodh edhe këtë herë, unë prap nga sot jam i vetizoluar për aq kohe sa të është e nevojshme. Kujdesuni për veten, virusi po u kthejka”, ka shkruar në fund Bylykbashi.
Bylykbashi ishte ndër personat e parë që kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunë e Prishtinës, në mesin e muajit prill.