Djali Kosta K., nxënës i klasës së shtatë në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, i cili vrau tetë kolegë dhe një roje sigurie të shkollës mëngjesin e sotëm rreth orës 08:40 dhe plagosi rëndë gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues historie, ende nuk ka mbushur 14 vjeç, që është mosha ligjore në të cilën i mituri bëhet përgjegjës penalisht.
Ai ka lindur më 30 qershor 2009, pra për një muaj e gjysmë do të mbushë 14 vjeç.
Përkundër seriozitetit të veprës së kryer, sipas Ligjit për të miturit dhe mbrojtjen juridike penale të të miturve, ai nuk mund të mbajë përgjegjësi penale sepse trajtohet si fëmijë.
Neni 2 i Ligjit për të miturit thotë se “personit i cili në kohën e kryerjes së veprës së kundërligjshme, të cilësuar si vepër penale, ka qenë nën moshën 14 vjeç, nuk mund t’i shqiptohen sanksione penale ose të zbatohen masa të tjera të parashikuara në këtë ligj”.
Ende nuk dihet motivi, por dyshohet se sulmuesi ka qenë në dijeni për këtë. Megjithatë, ky është vetëm një dyshim pa konfirmim të qartë.
Sipas informacioneve, Departamenti për të Mitur në Prokurorinë e Lartë Publike ende është duke i shqyrtuar të gjitha rrethanat e një rasti të tillë, të cilat as prokurorët më me përvojë nuk i kanë hasur në karrierën e tyre. Ka nisur hetimi për zbardhjen e të gjitha rrethanave të krimit të paprecedentë dhe po hetohet sesi i mituri e ka marrë armën që ka përdorur për të vrarë bashkëmoshatarët e tij.
Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me të
Nuk dihet ende se ku do të strehohet sulmuesi në ditët pas arrestimit të tij.
Avokati Radomir Munizaba thotë se duke pasur parasysh se nuk i ka mbushur 14 vjeç, ndaj tij nuk mund të shqiptohen sanksione penale apo të zbatohen masa të tjera të parapara me Ligjin për të Mitur.
“Edhe nëse do të mbushte 14 vjeç, fëmija do të duhej të ekzaminohej nga një neuropsikiatër dhe psikolog ekspert, për të përcaktuar gjendjen e shëndoshë të tij”, thotë Munizaba.
Në rastin e sulmuesit, e gjithë kjo praktikisht do të thotë se ai me siguri do të dërgohet në ndonjë vend të veçantë ose në një institucion të mbyllur, sepse ekziston mundësia e hakmarrjes ndaj tij dhe familjes së tij.