1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

“Një pjesë e marrëveshjes po zbatohet”, për çka e ka fjalën Hovenier

Ambasadori amerikan thotë se një pjesë e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë po zbatohet, pa treguar më shumë. Ndërkombëtarët që prej arritjes së Marrëveshjes, e kanë thënë si prioritet themelimin e Asociacionit. Për kryeministrin Kurti, urgjencë e zbatimit është vetëm pjesa për personat e zhdukur. 

Vetëm një ditë pas dakordimit në Ohër, po jepeshin shenja se Marrëveshja për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të respektohej. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, iu drejtua popullit të tij një ditë pas takimit në Ohër dhe tha se Serbia nuk do të ndalej së penguari anëtarësimin e Kosovës në Organizata ndërkombëtare.

Por, ndërmjetësit evropianë dhe amerikanë nuk shihnin opsion tjetër, pos zbatimit të plotë dhe me urgjencë të marrëveshjes, që, sipas tyre, ndonëse e panënshkruar, ajo është ligjërisht e obligueshme.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka thënë të enjten Televizionit 7 se marrëveshja duhet të zbatohet urgjentisht. Sipas tij, një pjesë e saj, veçse ka nisur zbatimin.

“Para së gjithash, unë do të thoja se një pjesë e marrëveshjes po zbatohet tashmë dhe natyrisht është një proces për të zbatuar të gjithë marrëveshjen. Shtetet e Bashkuara besojnë fuqishëm se marrëveshja duhet të zbatohet urgjentisht dhe ne gjithashtu kemi dëgjuar të njëjtën gjë të thotë edhe kryeministri i Kosovës.”, ka thënë Hovenier për T7.

Express ka kontaktuar sot Ambasadën amerikane në Prishtinë për detaje më shumë rreth “nisjes së zbatimit”, por nga aty nuk kanë shtuar diçka më shumë se që e ka thënë Hovenieri.

Ndërkaq nga Qeveria e Kosovës, nuk janë përgjigjur fare rreth çështjes së një pjese të marrëveshjes që, sipas diplomatit amerikan, tashmë po gjen zbatim.

Kryeministri Albin Kurti  ka thënë  të mërkurën para mediave se nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm, apo të pjesshëm të marrëveshjes dhe ajo nuk mund të copëtohet, duke ia marrë pjesë e preferuara.

“Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet, ashtu qysh nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes, prandaj marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e preferuara”, ka thënë Kurti.

Kurti tutje tha se urgjencë e zbatimit sipas marrëveshjes është vetëm çështja e personave të zhdukur me forcë.

Kur Kryeministri thotë se nuk mund të merren për zbatim “pjesët e preferuara”, duket se aludon për pjesët e marrëveshjet të cilat nënkuptojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Përveç palës serbe që insiston se Asociacioni duhet të bëhet urgjentisht, një kërkesë të tillë e kanë përsëritur edhe ndërkombëtarët, para dhe pas arritjes së marrëveshjes.

Kryeministri Kurti ka dhënë deklarata të ndryshme për Asociacionin, kur është pyetur nga gazetarët që nga koha kur u dakordua për marrëveshjen me Serbinë.

Ai nuk ka thënë se do të nisë me hapat për formimin e Asociacionit, por në një intervistë për një medium lokal foli për një Ekip Menaxhues i caktuar në 2020-n, që parashihej të hartonte statutin e Asociacionit, me të cilin do të merret Qeveria “ditëve në vijim”.

“Pra, këta gjashtë veta [pjesëtarët e Ekipit Menaxhues], janë, nëse s’gaboj, dy serbë nga veriu, dy serbë nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal. Në bazë të marrëveshjes së 2015-s [për themelimin e Asociacionit], ky ekip menaxhues do të duhej ta draftojë statutin e Asociacionit. Tash, unë nuk e di saktësisht kush është në përbërjen e asaj, por, edhe njëherë po e theksojë, është evidente që është mirë të dihet statusi i atij Ekipi Menaxhues dhe këtë ne si Qeveri do ta shqyrtojmë ditëve në vijim”, tha Kryeministri Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img