Nga Policia e Kosovës njoftuan sonte se një person ka marrë lëndime trupore te Liqeni i Batllavës në Orllan, pasi i njëjti është therur me thikë, në një përleshje ku ishin përfshirë edhe tre persona të tjerë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se policia po interviston tre personat e përfshirë në këtë rast.
“Sot rreth orës 19:00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në fshatin Orllan të Podujevës. Në këtë rast nga një mjet i mprehtë (thikë) është lënduar një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ahmeti.