Janë të vendosur ta çojnë deri në fund misionin e çmendur për shkatërrimin e vendit dhe në misionin e tyre s’ka kush që i ndalë. Kështu po shfaqen udhëheqësit institucionalë të Kosovës, hiç më shumë se një grusht matrapazësh politikë, të cilët nuk po zgjedhin rrugë as mjete për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale.
Nuk ka dhuratë më të keqe për përvjetorin e dhjetë të shpalljes së pavarësisë sesa sfidimi i shtetësisë së Kosovës me veprime aventuriere, të cilat shkojnë në favor të këtyre njerëzve që mbrojtjen e lëkurës së vet, e jo interesin e qytetarëve e kanë në rend të parë.
Por, po ashtu, nuk ka paralajmërim më ogurzi se ai i pesë shteve të fuqishme, mike të Kosovës, i bërë të enjten, nëpërmjet një deklarate të përbashkët. Një paralajmërim që duhet ta marrë seriozisht secili qytetar i vendit, një alarm për atë që mund të ndodh e që është skenari më i keq i mundshëm për të ardhmen e secilit prej nesh.
Shtetet e Quintit tërhoqën vërejtjen edhe njëherë se, shfuqizimi i ligjit për Gjykatën… vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rezikon të gjitha të arriturat e saj.
“Kjo i vë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare. Kushdo që mbështet një gjë të tillë do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe euroatlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë. Në të njëjtën kohë presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Për ata që dinë të lexojnë shqip nuk ka se si thuhet më qartë se aventura e Hashim Thaçit, me mbështetjen e Ramush Haradinajt e Kadri Veselit, është shumë e rrezikshme. Më e rrezikshme se sa mund të rezonojë një qytetar i zakonshëm, që do të vuajë për vite të tëra pasojat e veprimeve aventuriere të matrapazëve politikë që e udhëheqin vendin.
* * *
Kur në vitin 2015 Gjykata Speciale nuk po votohej në Kuvend, Hashim Thaçi bënte çmos që ajo të krijohej. Dy vjet e gjysmë më pas, ai është vënë në krye të përpjekjeve për ta zhbërë atë. Jo pse atëherë nuk ishte e tash është “e rrezikshme”, por për shkak se duket të mos i kenë dalë mirë llogaritë, të mos i ketë dalë mirë pazari.
Andaj sot, ai Gjykatën… na e paraqet si një gogol që duhet mbytur sa nuk është bërë vonë. Por më shumë se gjykata, gogol duhet të jetë kjo përpjekje e çmendur për të rrezikuar gjithë atë çfarë është bërë në Kosovë vetëm që të mbrojë veten dhe një grusht njerëzish të tjerë si vetja, që mund të jenë target i supozuar i këtij institucioni.
Nuk ka patriotizëm më të madh sot se të vihesh kundër përpjekjeve të rrezikshme për zhbërjen e Gjykatës Speciale, madje edhe me çmimin e linçimit publik nga ata që vazhdojnë të thonë se janë patriotë të vërtetë.
Secili duhet ta kuptojë njëherë e mirë se gjithçka që tash po ndodh rreth gjykatës nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, përveç se me një lojë të Thaçit, pjesë e se cilës me vetëdije ose jo po bëhen edhe të tjerë.
Nuk është kurrfarë patriotizmi të hysh në vallen e Hashim Taçit, por me vendosmëri të kundërshtosh aventurën e rrezikshme që çon në theqafje e izolim. Më i rëndësishëm se procedimi para gjykatës i një grupi njerëzish, të cilët edhe ashtu thonë shpesh se janë të gatshëm të ballafaqohen me drejtësinë, është e ardhmja e dy milionë të tjerëve, të cilët nuk kanë kurrfarë borxhi për të paguar për çfarëdo veprimesh të pahijshme të kujtdoqoftë.
* * *
Mbrojtja e Kosovës nga përpjekjet e çmendura të matrapazëve politikë nuk është çështje vetëm e një partie politike, as e një grupimi opozitar, por është çështje e gjithë shoqërisë. Secili deputet që bën kuorumin për mbajtjen e seancës në Kuvend ose që çon dorën për shfuqizimin e gjykatës, është përgjegjës përjetë për dëmin që do t’ia bëjë vendit. Edhe ashtu askush nuk do të mundet t’i shmanget drejtësisë dhe kultura e mosndëshkimit të secilit që mund të ketë bërë krime nuk do të bashkëjetojë me qytetarët. E ajo që do të arrihet me këso veprimesh të çmendura do të jetë izolimi dhe kolapsimi i shtetit të ri, një dhuratë kjo për dekadën e pavarësisë e matrapazëve politikë, që Kosovën e shohin veç si një monedhë për kusuritje.