Site icon PrishtinaPress

Një ndër gjyqtarët që votoi për rrëzimin e ligjit për Byronë nuk emërohet noter nga Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka refuzuar ta emërojë në detyrën e noterit, Radomir Laban, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, vendim ky i arsyetuar pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Laban, paraprakisht, ishte rekomanduar nga Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, që funksionon në kuadër të Ministrisë – por më 15 korrik, Haxhiu nxori vendimin e tij.

Gjyqtari i Kushtetueses, i cili dështoi të bëhej noter, ishte njëri nga pesë gjyqtarët që ka votuar pro që Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.

Ky vendim nuk u mirëprit aspak mirë nga pushteti. Madje ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu akuzoi gjyqtarët e Kushtetueses për shërbim ndaj “nomenklaturës së vjetër”.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese, në muajin qershor, e ka rrëzuar në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

…përkundër faktit që në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Gjykata ka vlerësuar si në kundërshtim me Kushtetutën vetëm pjesë të saktësuara të katër (4) neneve të Ligjit të kontestuar, përkatësisht nenet 2 (Fushëveprimi), 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi), 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) dhe 34 (Procedura në shkallën e parë) të tij, marrë parasysh natyrën dhe rëndësinë e tyre, dhe faktin që pa ndryshimin dhe plotësimin e të njëjtave nga Kuvendi, Ligji i kontestuar është i pazbatueshëm, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij.” – thuhej në njoftimin e gjykatës më 26 qershor.

Exit mobile version