Site icon PrishtinaPress

Një i porsalindur rezulton pozitiv me COVID-19 në Kosovë

Shoqata e Neonatologeve në Kosovë ka njoftuar se është konfirmuar rasti i parë me COVID-19 te të porsalindurit.

Kjo u bë e ditur nga  Burbuqe Skenderi, kryetare e kësaj shoqate, përmes një shkrimi në Facebook.

Ajo ka thënë se gjendja e përgjithshme e foshnjës është stabile.

“Shoqata e Neonatologeve të Kosovës raporton rastin e parë te të porsalindurit me COVID-19 , gjendja e përgjithshme e foshnjës momentalisht stabile. Beni kujdes, Covid nuk zgjedh moshë!”, ka shkruar Skenderi.

Ndërkaq, brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë shënuar edhe katër viktima nga coronavirusi i ri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të mërkurën se numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 86.

Sipas njoftimit, të mërkurën, nga 413 testime të kryera, janë regjistruar edhe 214 raste me coronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 4.100.

Ndërkaq, nga 1 korriku me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka filluar aplikimi i një cikli të ri të masave parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19 në vendin tonë!

Exit mobile version