“Që të mundem t’i them vetes ushtar, kështu mendoja atëherë, duhet të luftoja. Ndryshe mund të bëhesha pjesë e një klubi ‘paintball.’” Kaq thjesht e përshkruan Roland Bartetzko motivimin e tij për të marrë pjesë në fillim të viteve 90-të në luftërat e Jugosllavisë. Ai la Gjermaninë për të luftuar në Bosnje. Libri i tij “Era e luftës” – mësime nga beteja” është botuar tani edhe në gjermanisht.
Roland Bartetzko jeton sot në Prishtinë. Lindur në vitin 1970 në Würselen, ai shërbeu që në moshë të re në ushtrinë gjermane. Logjika e tij, se ushtar është ai që lufton të bën të jesh i vëmendshëm. Nga përgjigja e një pyetësori të vogël të grupit parlamentar të Majtë për Bundestagun në vitin 2001 del se “RB” sipas paragrafit 55 (5) të ligjit për ushtarët u pushua nga detyra. Jashtë dyerve të kazermës nxirren ushtarët që “shkelin me faj” detyrimin e shërbimit apo kur qëndrimi i tyre i mëtejshëm “do të rrezikonte seriozisht rendin ushtarak apo imazhin e Bundeswehrit”. Por Roland Bartetzko nuk do t’ia dijë për këtë.
Takticien guerilas dhe motivues
Kërkesa e grupit të Majtë për Bundestagun nxorri edhe diçka tjetër në dritë. Për palën kroate luftuan 100 gjermanë, shumica ekstremistë të djathtë. Roland Bartetzko një neonazist? Aspak, kundërpërgjigjet ai. Neonazistët janë për të pështirë. “Tek unë ishte thjesht dëshirë për aventurë. Të tjerët kishin probleme me familjen, policinë, gruan. Ka pasur edhe turistë të luftës, që e quanin si interesante të merrnin pjesë një javë në frontin e luftës.”
Të gjykosh për arsyet, pasi ka kaluar një kohë është problematike. “Aty mund të jesh edhe i pasinqertë dhe të thuash, se shkova për të luftuar për lirinë e Kroacisë dhe Kosovës. Kjo sigurisht është e kotë”, thotë ai për Deutsche Wellen, kur shpjegon, se pse u bashkua me HVO, Këshillin Kroat të Mbrojtjes apo UÇK-në.
Roland Bartetzko duket mjaft i interesuar të përshkruajë përditshmërinë e një ushtari. Me vite ai ofronte materiale për Quora-n, një forum i njohur që i shpërndante postimet e tij një publiku milionësh. Ai përshkruan, se si në luftë mund të pastrohen të pasmet dhe të lahen dhëmbët, kur uji është i pakët, se pse cigaret janë një mjet i lakmuar pagese, dhe se si përgatitet një pritë luftarake. Por edhe se si mund të përballosh frikën, pa u çmendur. “Mëngjesin tjetër u zgjova ngadalë, askush nuk po qëllonte, dielli po shkëlqente brenda bodrumit, mendova, sa mëngjes i bukur! Por ngadalë më erdhi ndërmend, se ku isha, dhe mendimi tjetër ishte dreq o punë!”
Kush pret në librin e tij të kujtimeve një raportim të strukturuar, zhgënjehet pas 172 faqesh rrëfim. Libri i tij është më shumë një përmbledhje anektodike e episodeve. Roland Bartetzko përpiqet të paraqesë veten si takticien i guerilasve, psikolog amator apo motivues. “Rrëfehen kaq shumë gjëra pa vlerë. Libri është menduar, si reagim kundër këtij mitizimi turbo-patriotik.”
Jeta e dytë në Kosovë
Për fat të keq Roland Bartetzko hesht në libërthin e tij për përjetimet e tij personale, gjë që do të kishte qenë me interes. Luftërat brutale në Jugosllavi në shpërbërje e sipër u morën jetën më shumë se 130.000 vetëve, rreth 2 milionë vetë humbën vatrën e tyre. Por në një kohë që luftëtari gjerman përshkruan me hollësi krimet e bëra nga serbët, nuk lexohet asgjë për krime ndaj të drejtave të njeriut nga pala kroate apo kosovare. “Nuk kam parë asnjë krim, por që nuk do të thotë, se nuk ka pasur asnjë krim.” thotë ai në bisedë me DW. “Nëse vjen si i huaj, sigurisht nuk të rrëfehen gjëra të tilla.” Ai thotë, se ka një shifër në kokë, se sa vetë janë vrarë nga kallashnikovi dhe sa nga minat e vëna prej tij. Për shifrën ai hesht. “Nuk kam shkuar të shoh, nëse ata vërtet kishin vdekur.”
Kthesa e jetës – Roland Bartetzko në burg
Libri i Roland Bartetzko përfundon me bombardimin e NATO-s dhe kapitullimin e Serbisë në qershor 1999 me luftën në Kosovë. Dy vite para se jeta e Roland Bartetzkos të merrte një kthesë të fortë. Më 18 prill 2001 u hodh në erë një makinë e konsullatës jugosllave në Prishtinë. Një kolonel serb humbi jetën, 4 persona të tjerë u plagosën. Pak më vonë u arrestua për këtë Roland Bartetzko.
Si para gjykatës edhe para medias, Roland Bartetzko e mohon përgjegjësinë për sulmin. Sipas tij, pas kësaj fshihet një komplot i misionit të OKB-së në Kosovë, që kontrollon drejtësinë në këtë protektorat. Dënimin prej 20 vitesh Roland Bartetzko nuk e kreu deri në fund. Nga viti 2015 ai është në liri. Kohën pas hekurave ai e ka përdorur për të studiuar drejtësi, gruaja e tij, një shqiptare e Kosovës e priti. Tani ai jeton në Prishtinë, flet shumë mirë shqip dhe ka lidhje të mira.
Disa miq apo armiq të tij janë kthyer ndërkohë në war-dogs, kështu quhen ata që nuk njohin gjë tjetër veç luftës dhe nuk duan gjë tjetër veç luftimit. Ata enden nëpër botë si legjionarë. Në media ata përmenden herë pas here kur flitet për legjionarë të huaj në Kroaci, ushtarë me pagesë në Donbas, shqiptarë që u bënë xhihadistë. Roland Bartetzko ka gjetur strehën e tij në Prishtinë dhe është i kënaqur si jurist në një firmë që prodhon seriale televizivë. A nuk është pak kjo, si në një klub ‘paintball’? “Jo”, thotë Roland Bartetzko. “Jam i moshuar për luftën. Ky është një kapitull i mbyllur tanimë.”