Një gjykatë në Moskë ka urdhëruar arrestimin e Yulia Navalnaya-s, bashkëshortes së liderit të ndjerë të opozitës Alexey Navalny.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e saj të martën. Urdhri është lëshuar nga Gjykata e Qarkut Basmannyy në Moskë, e cila e akuzon bashkëshorten e Navalny-t, për “pjesëmarrje në një organizatë ekstremiste.
Vendimi do të thotë se Navalnaya, e cila jeton jashtë Rusisë, do të përballet me arrestim të sigurt nëse shkel në vend.
47-vjeçarja, ka qenë në qendër të vëmendjes pas vdekjes së burrit të saj në një burg të Arktikut në muajin shkurt dhe tha se do të vazhdojë luftën për atë që Navalny e quajti “Rusia e bukur e së ardhmes”.
Me anë të një postimi në “X” të martën, Navalnaya u tha mbështetësve të saj që të mos fokusoheshin në urdhrin e gjykatës kundër saj, por në betejën kundër presidentit rus Vladimir Putin.