Site icon PrishtinaPress

Një ditë pasi iu thye zyra, dorëhiqet drejtoresha e buxhetit në Gjilan

Herolinda Murati- Leka, ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e drejtoreshës për Buxhet dhe Financa në komunën e Gjilanit.

Ngjarja ndodhi një ditë pasi zyra e saj dyshohet se u thye nga aktivistët e Vetëvendosjes.

Kështu të paktën pretendoi kryetari i degës së PDK-së në këtë qytet, Riad Rashiti.

“Skandali i fundit i jashtëzakonshëm është se drejtoreshës së buxhetit në Gjilan, aktivistët e VV-së (familjar të një asambleisti të VV-së) ia kanë ndërruar cilindrin zyrës së saj apo kanë bërë kopjimin e çelësit, duke ndërhyrë dhe patur qasje pa leje në zyren e saj, kur ajo nuk ka qenë prezent në punë. E për këtë rast drejtoresha e buxhetit dhe financave ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, e cila tashmë është duke e bërë punën e vet të hetimeve”, kishte shkruar ai ndër të tjera në Facebook.

Klankosova.tv ka kontaktuar me drejtoreshën, tanimë të larguar nga ky post, për të marrë një prononcim nga ana e saj, por që deri në momentin e publikimit të lajmit nuk i është përgjigjur Klanit.

Ajo dorëheqjen raportohet se e ka njoftuar përmes një letre.

Në këtë letër ajo ka shkruar se situatën në komunë e cilëson si të papranueshme dhe të pasigurt.

Tutje, në letër ajo theksoi se pas një periudhe të gjatë të krizës qeverisëse dhe pasigurisë, vendosi që të largohet nga detyra, duke përmendur si arsye bllokimin e miratimit të buxhetit për vitin 2025 dhe veprime të papranueshme ndaj saj nga persona të paidentifikuar.

Ish e para e “kuletës” së Gjilanit thotë se kjo komunë është në një krizë të thellë, për shkak të mungesës së një shumice funksionale në Kuvendin Komunal, gjë që ka çuar në pamundësinë e realizimit të projekteve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Prej disa muajsh, Komuna e Gjilanit është duke kaluar një krizë të thellë qeverisëse, si pasojë e mungesës së një shumice funksionale në Kuvendin Komunal. Kjo ka sjellë bllokimin e miratimit të buxhetit për vitin 2025, duke pamundësuar realizimin e projekteve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë. Ndonëse kam paralajmëruar publikisht në mbledhjen e Kuvendit Komunal mbi problemet e mundshme që do të mund të ndodhnin nga mënyra se si është votuar draft-buxheti për vitin 2025, kjo gjë nuk mori vëmendjen tuaj. Në një situatë të tillë, puna ime si drejtoreshë është bërë e pamundur dhe krejtësisht e pakuptimtë“.

Ajo përmendi edhe një incident të fundit, kur dyshohet se persona të paautorizuar kanë hyrë në zyrën e saj gjatë kohës kur ajo nuk ishte në punë, duke e cilësuar këtë veprim si një shenjë të pasigurisë institucionale.

Drejtoresha, e cila ka shërbyer në këtë detyrë, shprehet e bindur se nuk mund të kontribuonte më në një ambient të tillë, ku vlerat institucionale dhe etika qeverisëse janë të kërcënuara.

“Për këto dhe shumë arsye të tjera, kam marrë vendimin për të dërguar dorëheqjen time të parevokueshme, e bindur se në një ambient të tillë nuk mund të kontribuoj në mënyrë profesionale, të ndershme dhe të efektshme në të mirë të qytetarëve”.

Ajo shprehu falënderime për bashkëpunëtorët e saj dhe qytetarët e Gjilanit për mbështetjen dhe besimin e dhënë gjatë periudhës në detyrë.

Exit mobile version