Këshilltarja e kryeministrit Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se ajo bashkë me anëtarë të tjerë të delegacionit të Preshevës, nga nesër do të kenë takime me përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
‘’Pas ngritjes së problematikës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kongresin e Senatin Amerikan dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, adresa jonë e rradhës do të jetë Parlamenti Evropian.Nga nesër, së bashku me anëtarët tjerë të delegacionit nga Lugina e Preshevës, do të jem në vizitë 3 ditore në Bruksel për të ngritur problematikën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës.Për tre ditë në Bruksel do të zhvillojmë 12 takime me udhëheqësit më të lartë të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian’’, ka shkruar Sinani.
Më tutje Sinani ka bërë të ditur se pozita e vështirë e pakicës shqiptare në Serbi dhe diskriminimi konsistent do të jenë thelbi dhe tema kryesore e këtyre takimeve jashtëzakonisht të rëndësishme.