Njëri nga anëtarët e partisë Nisma Socialdemokrate, që udhëhiqet nga Fatmir Limaj, është punësuar në Ministrinë që udhëhiqet nga e njëjta parti, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Në një njoftim për kandidatin e suksesshëm që mban datën 25 qershor 2019 e që e posedon KALLXO.com, thuhet se Milazim Xani ka marrë 71.75 pikë për pozitën zyrtar i lartë për mallra bujqësore dhe industriale në Ministrinë e Trgtisë dhe Industrisë.
Xani ishte i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare sa ishte inspektor fitosanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, por ai është shpallur i pafajshëm në vitin 2015.
Në një bisedë për KALLXO.com, vetë Xani e ka pranuar se ka qenë i akuzuar ndërsa ka mohuar se partia e tij Nisma, ka ndikuar që të punësohet në MTI.
“Ende nuk jam punësuar, m`u ka konfirmuar po s’kam me fillu edhe nja një muaj ditë derisa të shihet a ka ankesa prej kolegeve të tjerë. Kam qenë i akuzuar dhe kam dal i pastër prej Gjykatës. Këshilli i Pavarur më ka kthyer në punë, por për disa arsye të tjera familjare nuk jam kthyer më, kam pas biznes privat deri në vitin e kaluar, sivjet vendosa të kthehem prapë në punë”, ka thënë Xani.
Tutje, Xani e ka pranuar se është pjesë e partisë së Fatmir Limajt, madje ai tha se nuk do ta ndalë aktivitetin partiak.
“Anëtar i Nisma-s jam dhe jam njëri ndër themeluesit e degës në Fushë Kosovë, jam i përkushtuar në parti në maksimum. E kam ndihmuar partinë në çdo drejtim dhe kurrë aktivitetin në Nisma nuk e ndali. Edhe nuk është me rëndësi a punësohem apo nuk punësohem se nuk jam hy në Nismë për me u punësu, se kur jam hy aty unë kam qenë t`u punu, aty jam hy për ideal dhe do të jem deri në fund”, tha tutje ai.
Ai kishte qenë edhe kandidat për deputet nga radhët e Nismës në vitin 2014.
“Kçyre bre zotni çka po të them, në Kosovë profesionalist më të mirë se unë nuk ki, kur duash takohemi ulemi në tavolinë, edhe e kam plotësuar tekstin 100 përqind me shkrim, veç me gojë nuk më kanë vlerësuar si duhet, se mujnë me marrë dikënd tjetër. Sa i përket profesionalizmit, asnjë person inxhinier i bujqësisë nuk mund të shtyhet me mua”, ka deklaruar Xani për KALLXO.com.
“18 trajnime i kam të kryera në shtetet e Evropës dhe të Amerikës”, tha në fund ai.
Millazim Xani ishte arrestuar në vitin 2011 nën dyshimin se keqpërdori pozitën zyrtare sa ishte pjesë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.