NISMA Socialdemokrate e Fatmir Limajt është e gatshme që të bisedojë me opozitën për temën e rrëzimit të Qeverisë. Kështu ka thënë shefi i deputetëve të kësaj partie, Bilall Sherifi, duke potencuar se ata mund të flasin me të gjithë dhe se nuk ka ndonjë temë të ndaluar për të cilën s’mund të diskutojnë.
Partitë opozitare ditëve të fundit janë duke synuar konkretizimin e nismës së tyre për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Votat e Listës Serbe nuk i fusin në kalkulime për ta prishur atë, prandaj dikush nga deputetët e partive në pushtet duhet t’ua votojë mocionin për rrëzimin e Haradinajt nga karriga e kryeministrit.
Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ditë më parë ka thënë se NISMA-n e Fatmir Limajt e sheh si parti me të cilën mund të jap vota për nismën e opozitës.
“Unë mendoj se ka mundësi me i gjet katër deputetë në koalicionin qeveritar”, ka thënë kreu i PSD’së fundjavën e shkuar.
Ai ka thënë se opozita duhet të caktojë njerëzit përgjegjës që do të mund të bisedojnë me partitë në pushtet, bazuar në atë se kush me kënd i ka raportet më të mira.
“A ka shku naj kush me i thanë NISMA-së, hajde me e rrëzua Qeverinë… Unë se kam marrë iniciativën. Unë i kam thënë z.Mustafa, hajde po i ndajmë përgjegjësitë, ndoshta unë e njoh Fatmir Limajn ma mirë, nashta dikush e njeh Milaim Zekën, na jepni detyra. Por, unë nuk muj me i shku me i thanë NISMA-s, hajde pe rrezojmë Qeverinë, pasi që pyetjen e parë që ma bojnë është se cila është mundësia e bashkëpunimit para zgjedhor, apo pas zgjedhor”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti .
Ndërkaq, Bilall Sherifi thotë se partia e tij nuk e ka problem që të diskutojë me opozitën edhe për temën e rrëzimit të Qeverisë.
“Ne jemi kolegë, qoftë pozitë qoftë opozitë, ne flasim me njëri tjetrin pa asnjë problem. S’ka tema tabu, për çdo temë flasim me të gjithë”, ka thënë Sherfi, i pyetur se a do ta pranonte partia e tij Shpend Ahmetin në një takim si përfaqësues të opozitës, për të diskutuar rreth rrëzimit të Haradinajt nga Qeveria, shkruan Express.
Të tri partitë opozitare kanë refuzuar që ta shtyjnë përpara mocionin për rrëzimin e Qeverisë me votat e Listës Serbe edhe pse kjo parti është shprehur e gatshme për një gjë të tillë.
Shpend Ahmeti thotë se një qëndrim të tillë e mbajnë të gjitha partitë opozitare, për shkak të situatës aktuale me dialogun e taksën.
Megjithatë ai ka treguar se si opozitë vazhdojnë të jenë të pa koordinuar, pasi që thotë se përveç nënshkrimeve të PSD-së për mocionin e opozitës nuk ka parë nënshkrime të tjera as të LDK-së e as të Vetëvendosjes.
Deri tani i vetmi deputet që ka dalë hapur në përkrahje të nismës së opozitës është Milaim Zeka, i cili së fundi ka themeluar edhe partinë e tij të quajtur PEK.
Për temën e rrëzimit të Qeverisë ka folur sot edhe kryeministri Haradinaj, duke thënë se në momentin që opozita i bën 61 vota, do ta shpëtonte dhe do të shkonte vendi në zgjedhje të reja.
“Kur t’i kanë 61 vota na shpëtoni shkojmë në zgjedhje. Se kemi telashe hiç, nuk e mendoj këtë pjesë. Për sa të jem kryeministër do ta mbroj vendin”, ka thënë ai në një konferencë për media.