Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një vajze 23 vjeçare nga fshati Zabel i Drenasit në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Kjo u konfirmua nga Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, mund t’ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda, është duke e trajtuar rastin në fjalë”.
QKUK ka dalë me një sqarim ku thuhet se diagnoza përfundimtare e vdekjes së 23 vjeçares ishte gjakderdhja në bark, dhe se familjarët e së ndjerës kanë refuzuar obduksionin.
“Në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqarojmë se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar”.
“Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësor ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore. Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45”.
“Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale (gjakderdhje në bark) , shok hemorragjik. Familjarët kanë refuzuar abduksionin”.
23 vjeçarja Zarife Imeri nga Drenasi raportohet se ka vdekur në QKUK, dy ditë pasi e kishte marrë vaksinën Pfizer.
Një familjar i saj me anë të një postimi në Facebook pretendon se shkaku i vdekjes është pikërisht vaksinimi.
“U detyrove të vaksinohesh që të qëndrosh në vendin e punës. Ajo vaksinë pas 48 orësh të shkaktoi vdekjen. MOS NA #DETYRONI MOS NA #KUSHTËZONI Prehu në paqe mbesa jonë…”, shkroi ai.
Sipas këtij familjari, i cili është djali i saj i dajës, e ndjera ka pasur një intervenim kirurgjik para gjashtë vjetësh në mëlçi, dhe se para tre ditësh pasi u vaksinua është ndjerë e lodhur dhe ka pasur marramendje. Për këtë shkak familjarët e kanë dërguar në emergjencën e QKUK-së, ku dje edhe ndërroi jetë, shkruan Klan Kosova.
Ndërkaq, Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, Ismet Bogiqi, për Klan Kosova ka deklaruar se e ndjera ishte vaksinuar me procedurë të rregullt me datë 13 shtator, ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer, dhe se nuk ka pasur ndonjë problem gjatë vaksinimit”.
Në certifikatën e vdekjes së lëshuar dje nga Klinika Emergjente e SHSKUK-së përmendet se shkaku i vdekjes ka të bëjë me hemorragjinë.