Delegacioni kosovar i përbërë nga katër gjyqtarë dhe një kontrollor është nisur në mëngjesin e së premte në Maltë. Pikërisht në kampionatin e këtij vendi ditën e shtunë në ndeshjen St. Andrews – Floriana, do gjykojnë arbitrat nga Kosova, Genc Nuza me asistentët Besnik Morina e Selami Haziri si dhe Besfort Kosumi si i katërti, ky i fundit do ta ketë rastin të gjykojë edhe si kryesor.
Kosumi të dielën do ta ‘ndajë mejdanin’ në Ligën e Parë (Division 1) të futbollit të Maltës në ndeshjen Sirens – Pieta. Kosumi do t’i ketë asistentët e njëjtë, kurse Nuza do të jetë i katërti.
Kujtojmë se në Maltë si kontrollor në dy ndeshje me gjytarë të këtij vendi do të jetë edhe Përparim Hasani.
Të shtunën do të jetë vëzhgues i gjyqtarëve (kontrollor) në sfidën Tarxien Rainboës – Birkirkara të elitës së futbollit maltez.
Ndërkohë, të dielën të njëjtën detyrë do ta kryejë në ballafaqimin e Ligës së Parë (Division 1), Gharghur – Melita, shkruan Gazetasheshi.com.
Shkëmbimi i gjyqtarëve mes Kosovës dhe Maltës bëhet pas marrëveshjes së arritur mes dy Federatave respektive.