4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Nis Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane

Samiti inaugurues i Bashkësisë Politike Evropiane, që po mbahet në Pragë të Çekisë, tregon “unitetin” e kontinenti evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Kështu deklaroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili njëherësh është ideatori i kësaj bashkësie.

“Synimi, pikë së pari, është që ne të ndajmë pikëpamjet për situatën që po prek Evropën, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”, tha Macron në fillim të samitit, që mbahet në Kështjellën e Pragës.

Në Pragë të Republikës Çeke janë ftuar krerët e 44 shteteve evropiane. Ftesë nuk kanë marrë Rusia dhe Bjellorusia.

Më herët gjatë ditës, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se takimi në Pragë dërgon sinjal të qartë për izolimin e Rusisë, shtet që ka nisur një luftë të paprovokuar ndaj Ukrainës.

Në takimin në Pragë, Kosova po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Ajo tha se në platformën e re, të gjithë përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe është vend për të sjellë ide për të tejkaluar sfidat e përbashkëta.

“Ajo me të cilën po përballemi është sfidë e madhe, por jam shumë e bindur se nëse qëndrojmë të bashkuar, do të jemi në gjendje të tregojmë sukses”, tha presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ideja e Bashkësisë Politike Evropiane është një ide e kamotshme, që po rilind në kohë krizash.

“Shpresoj të mos kemi nevojë për kriza për të pasur takime sërish. Shpresoj të shfrytëzojmë këtë takim e të vazhdojmë të ndërtojmë diçka të rëndësishme për komunitetin e madh evropian”, tha Rama.

Në takimin në Pragë, Serbia është i vetmi shtet që ka perspektivë të qartë për anëtarësim në BE dhe që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Zyrtarët evropianë të përfshirë në organizimin e samitit kanë konfirmuar se presin që ky takim të jetë një mundësi ku Beogradit zyrtar do t’i kërkohet sërish të respektojë politikën evropiane të sanksioneve kundër Rusisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u tha gazetarëve para fillimit të samitit të Pragës se nuk ka frikë nga “ata që kërcënojnë Serbinë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se përgjigja ndaj liderëve evropianë do të jetë e denjë, e përgjegjshme, serioze dhe e gjerë”.

Në margjinat e samitit janë paralajmëruar takime të ndara, ndër to edhe takimi i përbashkët i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ndërsa edhe Aleksandar Vuçiq do të takohet veçmas me liderët gjermanë dhe francezë.

Macron kishte dhënë idenë e krijimit të Bashkësisë Politike Evropiane në muajin maj të këtij viti. Ai dhe shtetet e tjera që e mbështesin këtë nismë thonë se nuk duhet të shihet si zëvendësim i procesit të zgjerimit të BE-së.

Presidenti i Francës po ashtu ka thënë më herët se kjo platformë ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimet midis shteteve të BE-së dhe atyre që janë jashtë bllokut, përfshirë edhe ato që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të BE-së që gjithashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës. Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë. /Rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img