Na ndajnë edhe shtatë ditë që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të ulën në tryezën e bisedimeve në Bruksel, pas tensioneve të mëdha në Veri të vendit.. Ndërmjetësit ende janë duke i zgjedhur temat me palët e duke u përpjekur që ta çojnë përpara procesin e normalizimit. Por, tash e sa muaj kriza në Veri nuk po hiqet nga agjenda edhe pse formalisht Kosova e ka diskutuar atë ndaras me Bashkimin Evropian në Bratisllavë.
Për t’u dakorduar se për çfarë do të bisedohet, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi.
Gjatë takimit, Lajçak tha se fokusi kryesor ishte se si të “avancojmë normalizimin e marrëdhënieve” derisa Bislimi ka thënë se “Kosova mbetet konstruktive dhe insiston në sigurimin e barazisë së plotë të palëve në dialog”.
Në njoftimin e djeshëm të emisarit të BE-së nuk u përmend fare situata në veri.
“Faleminderit zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për takimin në Bruksel. Ne kishim një diskutim të gjatë e përmbajtjesor në përgatitjen e takimit të ardhshëm të dialogut të nivelit të lartë. Fokusi ynë kryesor ishte se si të avancojmë marrëdhëniet e normalizimit”, ka shkruar Lajçak.
Ndërkohë, Kurti gjatë ka ngulmuar që zbatimi i marrëveshjes së Ohrit të bëhet në plotëni dhe jo që disa nga pikat e marrëveshjes të prioritizohen.
Takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit vjen pasi muaj më parë në Veriun e Kosovës ka pasur tension të lartë për shkak se Lista Serbe kishte bojkotuar zgjedhjet e prillit të katër komunave veriore.