Një gur i vendosur në vendin ku Pashkë Marku, e njohur si “Nana Pashkë”, u vetëflijua duke e djegur vetën, është hequr sot nga pronari i tokës.
Liridon Marku, nipi i Pashkë Markut, ka rrëfyer në Frontal historinë e vendosjes së gurit në vitin 2003, pasi gjyshja e tij dogji vetën, pas varrimit të eshtrave të dy djemve të saj, të vrarë nga forcat serbe.
Marku thotë se babai i tij (djali i madh i Pashkës) e ka pyetur pronarin e tokës ku është vetëflijuar Nana Pashkë, nëse mund ta vendosin një gur aty.
Ai thotë se familja e tij e kanë pyetur pronarin e tokës, që është fqinj i tyre, nëse mund t’ua shesë tokën, ose t’i ndërrojnë parcelat e tokës.
Marku thotë se pronari ka refuzuar të kompensohet për vendosjen e gurit dhe tregon t’u ketë thënë se “Kjo është vepra më e vogël që mund ta bëjmë”.
Por, nipi i Nanës Pashkë tregon se tri vitet e fundit pronari ka kërku t’ia heqin gurin, pasi i ka akuzuar familjen se në tokën e tij duan të bëjnë kishe.
“Në dy tri vitet e fundit, Hasani ka kontaktu për me e hek gurin. Babai i ka thënë do me e heq, hiqe, ajo është në tokën tande, por ne nuk e heqim”.
“Arsyeja e heqjes së gurit është se jeni ka doni me maru kishë aty. Baci [babai] ka garantu se asnjë guri më tepër vihet aty” , ka thënë Marku.
“Babai na ka lut mos me ia thënë asnjë fjalë familjes Balaj [pronarëve të tokës]”, ka thënë Marku.
Marku tutje ka thënë se pronari i tokës i ka akuzuar ata që e kanë sjellë Kryeministrit Kurti në vitin 2020, pa i pyetur ata. Por, familjari i Nanës Pashkë thotë se nuk e kanë ftuar Kryeministrin, por ai ka bërë kërkesa të vizitonte.