Site icon PrishtinaPress

Nikaj: Nëse s’mbahen zgjedhjet, i bie që Kurti e ka dorëzuar veriun

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka thënë se nëse dështon mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore më 18 dhjetor, atëherë kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti e ka dorëzuar atë pjesë të Kosovës.

Ai ka vlerësuar se duhet të gjendet një zgjidhje dhe zgjedhjet të mbahen në afatin e paraparë.

“11 ditë janë të mëdha. Kjo kohë duhet të shfrytëzohet që të ulet Kurti me Escobarin dhe Lajçakun dhe të gjendet një zgjidhje. Nëse nuk mbahen zgjedhjet, do të shkelet Kushtetuta. Nëse nuk mbahen zgjedhjet i bie që Kurti e ka dorëzuar veriun”, ka deklaruar Nikaj në KTV.

Sipas Nikajt, situata në veri të Kosovës është brengosëse.

“Është brengosëse që këto skena janë kthyer në veri, nuk janë skena që do të duhej t’i shihnim në 2022. Kjo situatë ka qenë e shmangshme, ka ekzistuar një paqe në veri rreth institucioneve të krijuara me shumë mund. Një paqe e brishtë ka ekzistuar në veri. Të mirëmbahet ajo paqe dhe të zhvillohet në drejtim pozitiv, ka qenë ideja e qasjes edhe e partnerëve edhe e skenës politike. Situata në veri është kthyer shumë vite pas, këto ngjarje po e trazojnë situatën e përgjithshme në vend”, ka thënë ai.

Anëtari i Kryesisë së partisë në opozitë theksoi se aktualisht në veri të vendit nuk po zbatohet rendi dhe ligji.

Gjatë mbrëmjes të së mërkurës është raportuar për shpërthime të reja në pjesën veriore, pas shpërthimeve të së martës. 

Exit mobile version