Site icon PrishtinaPress

Ngushëllime nga politikanë dhe krerë institucionesh për vdekjen e biznesmenit Latif Kryeziu

Krerët e shtetit kanë filluar të shprehin ngushëllime për vdekjen e biznesmenit të njohur kosovar, Latif Kryeziu.

Ndër të parët që ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu është i pari i vendit, presidenti Hashim Thaçi, i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kryeziu, përveç biznesmen ka qenë edhe mbështetës i përpjekjeve për liri e pavarësi dhe i luftës së UÇK-së.

“Më pikëlloi shumë vdekja e hershme e biznesmenit Latif Kryeziu, mikut tim për më tepër se dy dekada. Latif Kryeziu ishte mbështetës i përpjekjeve tona për liri e pavarësi dhe i luftës sonë çlirimtare. Si një prej biznesmenëve më të suksesshëm në Kosovë, ai kontribuoi shumë për ekonominë e vendit tonë. Ngushëllime familjes Kryeziu, bashkëpunëtorëve dhe gjithë të afërmve të tij”, shkruan Thaçi.


Gjithashtu, telegram ngushëllimi ka dërguar edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli,

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e mikut tim Latif Kryeziu, sipërmarrësit të suksesshëm që krijoi mijëra vende pune dhe atdhetarit të madh që dha mbështetjen meritore për kauzën tonë kombëtare. Vdekja e hershme e tij është një humbje e madhe për Kosovën. Latif Kryeziu arriti ta vendosë vendin tonë në hartën e bizneseve ndërkombëtare dhe kompanive multinacionale, duke sjellë tek ne brendin e mirënjohur “Shell”. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij! Ta kujtojmë përherë për veprat e mira që la pas”, shkruan Veseli.

Përmes një telegrami dërguar në emër të të gjithë anëtarëve të saj, Bordit të Guvernatorëve dhe stafit,  edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu me rastin e vdekjes së ndërmarrësit Latif Kryeziu.

“Oda Amerikane çmon tejmase kontributin që z. Kryeziu ka dhënë në fuqizimin e sektorit privat në Kosovë dhe në zhvillimin ekonomik të vendit në veçanti, përmes krijimit të mijëra vendeve të punës. Përmes angazhimit të tij në sektorin privat për mbi tri dekada, z. Kryeziu i ka lënë Kosovës ndërmarrje të fuqishme të cilat janë ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit si AL Petrol dhe Shell Kosova, Royal, ndërsa së fundmi po punonte me ngazëllim të veçantë edhe në hapjen e hotelit të parë të zinxhirit amerikan Hilton në Kosovë. Z. Kryeziu ka demonstruar edhe një angazhim të pashembullt përgjatë katër muajve të fundit pas shpërthimit të pandemisë COVID19 në ngritjen e shqetësimeve të komunitetit afarist në Kosovë, por edhe në ofrimin e rekomandimeve konkrete për tejkalimin e vështirësive me të cilat po përballet sektori privat në Kosovë. Oda Ekonomike Amerikane është krenare dhe përherë falënderuese për përkrahjen e vazhdueshme të z. Kryeziu për të gjitha aktivitetet e saj, përfshirë edhe ato filantropike, ndërsa, nga dita e sotme, Republikës së Kosovës do t’i mungojë një ndërmarrës i palodhshëm dhe një avokues i zëshëm i komunitetit të biznesit”, thuhet në telegram.

Shoqata e naftëtarëve të Kosovës në emër të të gjithë̈ anëtarëve të saj ka shprehur ngushëllimet të sinqerta të gjithë familjarëve dhe kolegëve e miqve të ndërmarrësit, Latif Kryeziu. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, përmes një njoftimi ka vlersuar lart Kryeziun duke thënë se i njderi ishte një koleg shembullorë, familjar i përkushtuar, e biznismen human e shembullor.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë afaristit të shquar Latif Kryeziu. Shoqata e naftëtarëve të Kosovës në emër të të gjithë anëtarëve të saj shpreh ngushëllimet të sinqerta të gjithë familjarëve dhe kolegëve e miqve që patën fatin ta njohin atë, e ta kujtojnë̈ ashtu si ishte një koleg shembullorë, familjar i përkushtuar, e biznismen human e shembullore. Në këto raste të ndarjeve të parakohshme familja dhe miqtë të gjejnë forcën për të përballuar dhembjen. Përherë̈ do të jetë në kujtimet tona”, shkruan Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Ngushëllime për familjen Kryeziu ka shprehur edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala.

“I trishtë lajmi për vdekjen e biznesmenit dhe mikut tim Latif Kryeziut. Vdekja e tij nuk është̈ humbje vetëm për familjen e miqtë e tij, por edhe për vendin. Ai ka dhënë̈ kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e ekonomisë̈ së shtetit të Kosovës. U shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Kryeziu miqve dhe gjithë atyre që e njohën”, shkruan Shala.

Familjen Kryeziu e ka ngushëlluar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“I pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Latif Kryeziut, shpreh ngushëllimet e mia për familjen dhe të gjithë ata që njohën. Latifin do e kujtojmë gjithmonë për kontributin e tij në përpjekjet për liri dhe për ndërtimin e ekonomisë së vendit. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, shkruan Haradinaj.

Exit mobile version