Si pasojë e panikës së krijuar nga pandemia e Coronavirus, barnatoret po shfrytëzojnë rastin të rrisin çmimet e produkteve mbrojtëse si dezinfektues, maska mbrojtëse dhe alkool. RTV Dukagjini ka hulumtuar tregun, duke konfirmuar këtë në teren.
Derisa nuk pranuan të flisnin për produktet farmaceutike mbrojtëse ndaj koronavirusit si maska dhe produkte të ndryshme dezinfektuese, RTV Dukagjini, ka pyetur se sa janë çmimet për to.
Gazetarja: Desha ta shoh çfarë lloje të dezinfektuesve ka?
Farmacistja: Ja këto.
Gazetarja: Sa kushton?
Farmacistja : 5 euro
Gazetarja:A ka ndërruar çmimi javës së fundit?
Farmacistja: Jo këto janë me këtë çmim
Gazetarja: Lloje tjera s’ka a?
Farmacistja: Jo për momentin, përveç kësaj sasie, nuk kemi tjera.
Furnizuesi: Merre se më nuk gjen, të tregoj unë, i gjeta pak paqeta, nuk gjen hiq as ndër 5 as ndër 7 euro. Veç sa erdha prej Gjermanisë, 17 e 80 cent një që ka kushtuar 1 e 70 cent.
Gazetarja: U rrit çmimi?
Furnizuesi– Tmerr
Gazetarja: E prej cilës depo jeni duke i marrë?
Furnizuesi – S’ka në depo hiç, askush s’ka
Gazetarja: E alkool, çfarë alkoole?
Farmacistja – Alkoolet nesër vijnë
Gazetarja: E s’ka hiq a?
Farmacistja– Nesër vijnë
Furnizuesi : O krejt çka ka, që ka të bëjë me pastrimin, me dezinfektimin krejt janë duke u zhdukur, si po vijnë po shkojnë.
Gazetarja: E çmimi, më duket javën e kaluar ka qenë ma lire?
Furnizuesi – Këta a? Këta nuk e kemi pasur, ky është një lloj tjetër, ja duke ua dërguar tjerave barnatore jam. Se nuk ka , edhe gjysmë litre nuk është aq shtrenjtë
Gazetarja: A është shkaku i panikut, që janë duke i rritur?
Furnizuesi– Po de, kah 2 euro janë duke i shitur disa më të vegjël, ka 100 ml.
Drejtori i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovës, përmes një përgjigje elektronike potencoi se ngritja e çmimeve çon në dëmtim të shëndetit publik, përcjell Telegrafi.
“Sa i përket rritjes së çmimeve të produkteve për mbrojtje nga koronavirusi, konsiderojmë se kjo ngritje çmimeve është në kundërshtim me masat mbrojtëse që janë caktuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pasi që ndikon negativisht në mbrojtjen e qytetarëve nga kjo sëmundje”, deklaroi për RTV Dukagjinin Besim Kodra.
Përkundër kësaj, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës u bëri thirrje të gjithë farmacistëve që përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me klientët, t’i këshillojnë ata në lidhje me virusin dhe produktet mjekësore.
“Farmacistët të marrin masa dhe të bëjnë edukim të vazhdueshëm të pacientëve. Është shumë e rëndësishme që të mos jepen produkte medicinale që janë të panevojshme për pacientët”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arianit Jakupi.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të mbajtur me 11 mars, përkatësisht në pikën e fundit thuhet se “Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”./RTV Dukagjini