0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Ngjarjet e djeshme në Rusi ringjallën një shqetësim të vjetër në Uashington

Pas marshimit të grupit mercenar Wagner drejt Moskës, Reuters ka bërë një analizë se çfarë ndodh me rezervat bërthamore të Rusisë në rast të trazirave të brendshme. Ky është një shqetësim i vjetër i Uashingtonit, përcjell REL.

Shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, e ndërpreu rebelimin kundër regjimit pas një marrëveshjeje që ndërmjetësoi udhëheqësi bjellorus.


Kjo i uli shqetësimet e menjëhershme për një konflikt të madh brenda Rusisë, por sinjalizoi se pushteti i presidentit rus, Vladimir Putin, po dobësohet.

Imazhet e tankeve në rrugët e qyteteve ruse sollën në mendje grushtshtetin e dështuar të vitit 1991 nga linjat e ashpra komuniste, që rriti shqetësimet për sigurinë e arsenalit bërthamor sovjetik, thonë ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane.


“Komuniteti i inteligjencës do të jetë super i fokusuar në rezervat bërthamore [ruse]”, thotë Marc Polymeropoulos, ish-oficer i lartë i CIA-s, që ka mbikëqyrur operacione klandestine të agjencisë në Evropë dhe Euroazi.

“Ju dëshironi të dini se kush e ka kontrollin e armëve bërthamore, sepse jeni të shqetësuar se terroristë ose njerëz të këqij si

Kadyrov mund të vijnë më pas”, thotë Daniel Hoffman, ish-oficer i lartë i CIA-s, i cili ka shërbyer si shef i stacionit të agjencisë në Moskë.

Kadyrov dërgoi mijëra forca të tij në Rostov-on-Don – qytet në jug të Rusisë, i pushtuar dhe më pas i braktisur nga luftëtarët e Prigozhinit – duke u zotuar se do të ndihmojë në shuarjen e revoltës.

Zyrtarët amerikanë thonë se nuk shohin ndonjë kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e armëve strategjike dhe taktike të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se marrëveshja që ktheu luftëtarët e Wagnerit në kampet e tyre, kishte për qëllim shmangien e konfrontimit dhe të gjakderdhjes.

“Ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim në sistemimin e forcave bërthamore ruse”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA.

“Rusia ka përgjegjësi të veçantë për të mbajtur komandën dhe kontrollin e forcave të saj bërthamore dhe për të siguruar që të mos ndërmerren veprime që rrezikojnë stabilitetin strategjik”, tha ai.

Por, siguria e këtyre armëve është një shqetësim i vazhdueshëm për Uashingtonin.

Agjencitë e inteligjencës amerikane thanë në vlerësimin e tyre vjetor të kërcënimit, për 2023-shin, se “siguria bërthamore e Rusisë mbetet një shqetësim, pavarësisht përmirësimeve në mbrojtjen e materialeve dhe kontrollin e tyre”.

Zinxhiri i komandës bërthamore

Një skenar shqetësues është mundësia që një fraksion ushtarak fiton aftësi vendimmarrëse mbi disa prej armëve, nëse përçarjet për luftën në Ukrainë që i ekspozoi rebelimi i Prigozhinit, shpërthejnë sërish.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre pyeten se si do t’i përdorë armët ndonjë autoritet i ri, thotë Hoffman.

“Dhe ai mund të mos luajë me të njëjtat rregulla që i ka Putini”, thotë ai, duke vënë në dukje se si udhëheqësi rus nuk ka vepruar ndaj kërcënimeve bërthamore që ka bërë, në përgjigje të mbështetjes së Perëndimit për luftën e Ukrainës kundër forcave pushtuese ruse.

Arsenali bërthamor i Rusisë është më i madhi në botë. Sipas vlerësimeve të Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë në vitin 2022, Rusia ka 5.977 koka bërthamore, krahasuar me 5.428 që vlerësohet se i ka SHBA-ja.

Mbledhja e informacioneve për strukturën komanduese të forcave strategjike të Rusisë dhe për sigurinë dhe aspektet e tjera të tyre ka qenë, prej kohësh, një nga prioritetet më të larta të agjencive të spiunazhit të SHBA-së, thonë ish-oficerët e CIA-s.

Kjo punë u bë më e vështirë me vendimin e Putinit, në gusht të vitit 2022, për të ndalur inspektimet e SHBA-së në vendet bërthamore të Rusisë, ashtu siç parashihte marrëveshja START-i i Ri.

Ky vendim bëri që Uashingtoni të varet shumë nga satelitët spiunë, për të vlerësuar sigurinë e vendeve të armëve bërthamore dhe lëvizjet e kokave bërthamore, thotë Polymeropoulos.

“Ky ka qenë gjithmonë një prioritet super i lartë i SHBA-së – informacionet për komandën dhe kontrollin e armëve bërthamore në Rusi”, thotë Hoffman.

“Ne të gjithë e dimë se janë të rrezikshme, prandaj i kemi pasur të gjitha ato traktate, ku kemi pasur shumë transparencë, e që tani janë zhdukur”, përfundon ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img