Dëshmitari Helmut Schreckenbauer ka pohuar të enjten në Hagë që sipas raportit që përshkruante krimin që ka ndodhur në ish-godinën e MUP-it në Prizren, nuk arrihet në përfundim nëse kryerësit e veprës ishin shqiptarë ose jo.
Fillimisht, dëshmitari tregoi se kur kishin shkuar në godinë, ndërtesa ishte bosh dhe se morën informacion që në katin e parë ishte një person i vdekur, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Së pari, fillimisht ndërtesa ishte bosh, por kur ne i lejuam të lënduarit të kthehen sërish në ndërtesë, ishte një dhomë ku u kemi dhënë trajtim mjekësor të lënduarve dhe nuk më kujtohet se kur arritëm aty të gjithë të lënduarit ishin jashtë ndërtesës apo ndoshta Policia Ushtarake i ka lejuar ata që të dalin jashtë ndërtesës. Këtë nuk e di. Me qëllim që t’i japim trajtim atyre i lejuam që të hyjnë në ndërtesë sërish dhe u futëm në ndërtesë bashkë me Policinë Ushtarake sepse morëm informacionin se në katin e parë të ndërtesës ishte një person i vdekur, në atë moment nuk më kujtohet të ketë patur njerëz të tjerë në ndërtese”, tha dëshmitari.
Schreckenbauer pohoi se personat e lënduar ishin në gjendje që të ecnin vetë. Tha se kishte parë një dhomë që kishte instrumente të torturës, që ishte në katin e njëjtë dhe afër dhomës ku ishte gjetur personi i vdekur.
Dëshmitari shtoi se nuk ishte detyra e tij që të kontrollonte me hollësi në atë dhomë, por e Policisë Ushtarake.
Më pas, atij iu prezantua një raport lidhur me krimin e pretenduar, sipas të cilit, u tha që numri i kryerësve të krimit nuk dihet. Andaj, Schreckenbauer u pyet se a pajtohet që sipas raportit kryerësit e krimit nuk janë identifikuar.
Për këtë, pati kundërshtime prokurorja Alexandra Insinga, e cila tha se nuk e di cila është relevanca e pyetjeve për këtë dëshmitar. Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se pyetjet e avokatit të Jakup Krasniqit, Victor Baisheu, shkojnë përtej fushëveprimit së pyetjeve të Prokurorisë. Si rrjedhojë, Smithh kërkoi nga avokati të tregoi se cili është qëllimi për këtë lloj të pyetjeve.
Avokati Victor Baisheu tha se qëndrimi është se mbështetur në këtë raport, nuk ishte e mundur që të arrihej në përfundim në qoftë se kryerësit kanë qenë shqiptarë ose jo.
“Relevanca është që këto raporte janë kërkuar që të pranohen në prova materiale dhe kryerësit e veprave në këto raporte janë persona të paidentifikuar”, tha Baisheu.
Kështu, që avokati pyeti sërish dëshmitarin se a pajtohet që në bazë të atij raporti nuk është e mundur që të arrihet në përfundimin se kryerësit e veprës kanë qenë shqiptarë. Si rrjedhojë, gjykatësi e lejoi avokatin Baisheu që të vazhdojë me pyetjet.
“Kjo s’ka qenë detyra ime si mjek. Nuk është që unë të gjej kryerësit e veprës, por detyra ime ishte që të konstatoj që dikush ka vdekur dhe më sa ishte e mundur të jepja informacion lidhur me shkakun e vdekjes. Unë nuk jam oficer policie, s’kam qenë as atëherë oficer policie që të gjej kryerësit e veprës”, u përgjigj Schreckenbauer.
Më pas, dëshmitari mohoi se ka marrë ndonjë informacion që kryerësit e veprës ishin shqiptarë në kohën sa ishte në vendin e krimit të pretenduar.
Pyetje për dëshmitarin pati edhe trupi gjykues i përfaqësuar nga gjykatësi Christoph Barthe, i cili pyeti se atë ditë a kishte parë trupa serbë në afërsi të ndërtesës.
“Nuk kam vënë re asnjë trup serb në atë kohë. Të vetmit trupa serbë që kam parë unë në atë kohë është ditën kur jemi kthyer në Prizren sepse atë ditë kur jemi kthyer në Prizren kishte ende forca serbe, por më pas nuk kam vënë re trupa serbe”, tha Schreckenbauer, i cili shtoi se kur kanë hyrë në Prizren ka qenë rreth 12 apo 14 qershor 1999.
Schreckenbauer tha se nuk e kishte parë diçka të veçantë atë ditë, më 18 qershor 1999, që tregonte se kush e kishte përdorur këtë ndërtesë.
Me kaq përfundoi seanca e sotme në këtë çështje gjyqësore për të vazhduar më pas të hënën, më 27 janar 2025, sipas orarit të zakonshëm nga ora 09:00 me 45 minuta vonesë në transmetim. /Betimipërdrejtësi