Më herët u raportua për të shtëna me armë në lagjen “Kodra e Trimave”, ku u dyshua se ka edhe të plagosur.
Burime të Indeksonline pohojnë se për shkak të një zënke të mëhershme, dy grupe të rinjsh janë përleshur mes vete dhe kanë pasuar të shtënat.
Si pasojë e të shtënave me armë, është plagosur Trim Krasniqi.
Në anën tjetër, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci tha për Indeksonline se rasti ka ndodhur rreth orës 19:45, teksa ngjarja ka ndodhur brenda një dyqani.
“Nga informacionet e para është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur brenda një dyqani dhe për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit.
Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit me ç’rast ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri” deklaroi Borovci për Indeksonline.
Zëdhënësi i Policisë gjithashtu bëri të ditur se dy persona janë arrestuar si të dyshuar që ndërlidhen me ngjarjen.
Policia po vijon me procesin identifikues të personave të tjerë që kanë qenë të përfshirë në këtë rast, si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes./Indeksonline/