Site icon PrishtinaPress

Nga zarfi i i zi tek nata më e vështirë, Arbana rrëfen prapaskenat e Big Brother

E ftuar në podcastin “Zë me Mirën” ka qenë moderatorja Arbana Osmani, e cila ka folur më shumë rreth eksperiencës së saj në televizion gjatë këtyre viteve, moderimit të një prej spektakleve më të ndjekura si BB dhe largimit të saj nga ky format.

Në këtë podcast ajo ka rrëfyer gjithçka rreth jetës së saj private, karrierës dhe planeve për të ardhmen.

Podcast i transkriptuar:

Mira Kazhani: Po flet për kohën e Big Brother tani?

Arbana Osmani: Edhe për kohën e Big Brother.

Mira Kazhani: Që të mos e bëj si ti me atë zarfin e zi, atë suspancën 25 minuta e 32 sekonda. Meqë ra fjala, ishte dikush që të thoshte kur duhet ta thoje emrin? Apo e vendosje ti kohën?

Arbana Osmani: Përgjithësisht jo. S`ka asnjë lloj rëndësie. Këto janë truqe televizive. Përgjithësisht është regjia që të lajmëron se kur duhet, pasi i ka fokusuar të gjithë konkurrentët dhe i ka marrë të gjitha emocionet e tyre. Domethënë, e pamë edhe Mirën, e pamë si reagoi Arbana dhe ok tani mund ta thuash.

Mira Kazhani: Po prisja dhe prisja dhe për të mos e bërë ashtu në fakt, si zarfi yt i zi, i famshëm, njerëzit duan shumë ta dinë çfarë ndodhi në të vërtetë me Big Brother. Ditët e fundit kur do të niste Big Brother Vip 3 u duk sikur në rrjet po zhvillohej një kryengritje. Njerëzit të donin ty. Janë mësuar me ty. Unë e kuptoj kur mësohen me një figurë. Por e thashë edhe në fillim, ti e di që e ke atë aset tëndin, meritë e jotja, fati yt që publiku të mbështet, të do.

Arbana Osmani: Po, edhe jam shumë e lumtur që më do. Jam akoma më e lumtur që ka vëmendje ndaj meje. Jam shumë me fat në gjithë këtë vëmendje. Na shohin, na dëgjojnë, na kuptojnë, na besojnë. Është shumë e rëndësishme të na dëgjojnë. E vlerësoj shumë këtë. Pavarësisht se më vjen keq t`ju zhgënjej. Nuk ndodhi asgjë. Unë e shpjegova pak momente më përpara. Vija nga një periudhë shumë e ngjeshur dhe vendimi im për të vazhduar projekte, dëshira, qoftë edhe qëndrimi më shumë me fëmijët, ndjekja e pasioneve të mia, hapja e një sipërmarrje të re, bërja e gjërave ndryshe. Unë e kam bërë Big Brother për shumë shumë vite. Kam bërë programe të tjera për shumë vite. E kuptoj që publiku është i lidhur me mua shumë në figurën e Big Brother, aq më tepër gjatë këtyre dy viteve të fundit, ku Big Brother ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Po ashtu unë e di që publiku mësohet edhe me një figurë tjetër. Iki unë, vjen dikush tjetër. Asnjëherë s`e kam menduar që është një herezi e madhe të lësh një projekt, sepse po lë të tjerët në baltë.

Mira Kazhani: Po ti e le në kulmin e vet. Në kulmin e suksesit tënd, të Big Brother si reality show. Nuk dukej e parashikuar. Dukej sikur gjithçka ndodhi në ato muajt e fundit.

Arbana Osmani: Vazhdimisht kur e di se gjërat mes meje dhe njerëzve të mi të afërt, për tematika të caktuara, janë krejt të qarta, nuk e ndjej të nevojshme të jap shpjegime publike, në të gjitha sferat. Kështu që nuk e ndjeva që unë në finalen e Big Brother duhet të thoja: Shiko se ky është edicioni im i fundit. Se unë jam një nga hallkat e programit. Njerëzit do ta ndjekin programin me ose pa mua, ç`rëndësi ka a do jem a s`do jem unë. Nuk e ndjej se duhet t`i jap gjithë këto kredite vetes për ta glorifikuar këtë personazhin tim dhe pozicionin tim. Shiko se unë po iki dhe po ju lë… Thashë, kur të fillojë Big Brother unë do bëj një urim nga zemra për ata të cilët do ta vazhdojnë programin edhe e mendova të mjaftueshme.

Mira Kazhani: Të besoj dhe të kuptoj, të them të drejtën. Se je një mami me tre fëmijë dhe mendoj se ke arritur edhe një profil publik që më duket sikur, e tha mirë edhe në një status drejtuesja e Top Channel: “Tani nuk ia kemi nevojën njëra-tjetrës”. Në një kuptim, ti je një institucion më vete. Gjërat e tua rrjedhin tani. Mund të bësh edhe pa një spektakël të madh. Ti ke ndërtuar një biznes. Duket sikur fituar edhe më shumë siguri, edhe siç po kuptoj unë nga ajo që po thua, je në një kohë që ke nevojë të shijosh edhe pak jetën me fëmijët e tu.

Arbana Osmani: Po, është e vërtetë. Po nuk është një arsye specifike. Janë shumë arsye bashkë që besoj që është thjesht fati im në këtë moment që të zgjedh të bëj gjërat që dua.

Mira Kazhani: Po, e ke ndërtuar, e ke bërë gati veten për të bërë këtë që do. Cili ka qenë Big Brother më i vështirë? Nata më e vështirë për ty?

Arbana Osmani: Nata më e vështirë?

Mira Kazhani: Nata më e vështirë.

Arbana Osmani: Kanë qenë disa. Nuk di të të ndaj njërën. Kanë qenë disa. Të gjithë mendojnë që vështirësia në një program si Big Brother është prezantimi. Në fakt jo. Të paktën jo për mua. Për mua jo. Një program si Big Brother të kërkon 24 orë në 24. Unë do kisha qenë më rehat po të isha mbyllur tek shtëpia e Big Brother sesa duke qenë “head of content” nga jashtë. Ke shumë përgjegjësi. Përgjegjësi ndaj konkurrentëve, përgjegjësi ndaj familjarëve, ke përgjegjësi ndaj drejtuesve të televizionit dhe shifrave të audiencës që duhet t`i mbash gjithë kohën lart. Ke përgjegjësi ndaj stafit që qëndron aty bashkë me ty dhe nuk bën absolutisht asgjë tjetër. Ato 5 muaj, flas të paktën për stafin e ngushtë, ne që punonim shumë, ti nuk jeton. Unë nuk kam jetuar 5 muaj Big Brother. Përveçse për Big Brother. Unë edhe kur isha me fëmijët e mi, nuk isha me fëmijët e mi. Telefoni im gjatë natës nuk ka qenë kurrë silent. Që në momentin kur fillon e deri kur mbaron Big Brother. Asnjëherë. Nuk bën dot një udhëtim. Nuk ha dot një darkë pa qenë tërësisht e lidhur me ata, me shtëpinë e famshme. Unë mendoj që nuk ka një arsye dhe një mënyrë tjetër për ta bërë Big Brother. Qofsha unë e gabuar, ose ndoshta jam dhënë unë më shumë seç duhet. Po këtë e mendoj fort, duke parë edhe përvojën dhe eksperiencën e simotrave tona në samite dhe konferenca që kemi bërë me të gjitha shtetet që e organizojnë. Është lloji i formatit i tillë. Të do të gjithën.

Mira Kazhani: Të sfilit.

Arbana Osmani: Të sfilit.

Mira Kazhani: Si i përballoje ti komentet gjatë periudhës së Big Brother? Se pjesa e komentuesve dhe e rrjetit më duket barra më e rëndë për t`u përballuar.

Arbana Osmani: Problemi me fansat është që duhet t`i mirëkuptosh dhe i kam mirëkuptuar. Ajo është pjesë e suksesit të programit. Pra nëqoftëse një program i caktuar, qoftë ky “Big Brother”, “Top Fest” apo “Dua të të bë të lumtur” krijon në publik fansa, ose njerëz e duan personazhin, e duan pavarësisht, kjo domethënë që ti ke pasur sukses, ke shkuar tek shikuesi. Kjo është shumë e rëndësishme, absolutisht shumë e rëndësishme të televizion. Bashkë me këtë ndonjëherë, jo gjithmonë, por ndonjëherë, vjen edhe një lumë komentesh dhe sulmesh e kërcënimesh vetëm virtuale. Kurrë unë nuk kam ndjerë as komentin më minimal në një përballje fizike me dikë. Përkundrazi, njerëzit janë jashtëzakonisht dashamirës edhe shumë të ngrohtë e shumë të dashur me mua. Vazhdimisht tek Bana`s vijnë klientë, të cilët kur më gjejnë aty kërkojnë të bëjnë foto. Edhe ishte një ditë shumë e zhurmshme. Ka qenë një e diel. Ishte një zonjë që po vinte drejt meje edhe tha: Mund ta bëjmë një foto? Po, i thashë, patjetër. U bëmë gati që të bënim foto edhe tha: Hajde mo – tha – se sa të kam sharë ty 5 muaj, nuk kam sharë njeri. I thashë: Ua, mua pse? Për momentin, nuk është se jetoj me Big Brother, ka kaluar. I thashë: Pse? Po atëherë për Big Brother. Po pse do foto tani, i thashë. Po hajt mo se kanë kaluar ato. Jo, i thashë, nuk do bëjmë foto. Se në një moment nuk e di pse, u ndjeva shumë keq. I thashë, jo nuk do bëjmë foto. Tha: Po pse, ça të bona unë, s`të thashë ndonjë gjë? Po unë kam ardh tek lokali, tha. Ti faleminderit që ke ardhur tek lokali. Unë madje do të të jap një tiramisu, por foto nuk do bëjmë. Ajo nuk e besonte. “S`ka mundësi. Unë s`të bëra ndonjë gjë. Kanë kaluar ato. Kanë ikur.” Pastaj kur e mendova më vonë u ndjeva keq. Thashë po edhe kot aman. Duhet ta kisha bërë një foto se ç`po më gjen. Po e di çfarë nuk më pëlqen? Nuk më pëlqen arroganca e të normalizuarit të dhunës dhe abuzimit. Unë e kuptoj. Ti u bëre fanse edhe më ofendove, shave mua, se mendove që unë po bëj një padrejtësi dhe është ok. Po minimalisht të kërkoj falje që të kam sharë 5 muaj rresht. Ia paskam fut kot. Hajde bëjmë një foto. Do kisha bërë 10. Po normalizimi i dhunës, qoftë kjo virtuale, qoftë kjo nëpër komente. Hë se je njeri i famshëm dhe normal që do shahesh. Hë mo se je gocë e bukur dhe normal që do shahesh. Hë mo se janë fëmijë edhe ashtu janë, do rrihen me njëri-tjetrin. Mua kjo nuk më pëlqen dhe nuk do doja kurrsesi që fëmijët e mi t`i rrisja me mendimin që këto janë gjëra normale. Nuk është normale. Unë kurrë në jetën time nuk e imagjinoj sesi mund të ulesh pranë tastierës së kompjuterit dhe të shkruash, të fyesh, të shash dikë, të kërcënosh dikë, ose më keq akoma të mallkosh fëmijët e dikujt. Nuk më shkon në mend. Dhe nuk do doja kurrsesi t`i rrisja fëmijët e mi duke menduar që këto gjëra janë normale. Këto nuk janë normale dhe nuk janë të drejta. Dhe nuk janë të duhurat.

Exit mobile version