Deputetët e partisë në pushtet thonë se LVV-ja do të jetë partia e parë që do ta përfundojë një mandat të plotë qeveritar dhe se në muajin shtator sipas ligjit për zgjedhje do të vendoset për datën e zgjedhjeve. Në anën tjetër deputetët e opozitës thonë se qeveria dhe vet kryeministri e ka izoluar Kosovën, në këtë kontekst sipas tyre shpëtimi i vetëm për Kosovën do të jenë zgjedhjet e parakohshme dhe ardhja e një kryeministri të ri.
Pak muaj para përfundimit të mandatit qeveritar, partitë në opozitë po theksojnë nevojën për zgjedhje të parakohshme, për shkak të, siç thuhet, keqqeverisjes, pranimit të marrëveshjeve të dëmshme dhe cenimit të raporteve me aleatët strategjik. Partia në pushtet është e bindur se qeveria do të përmbushë mandatin e saj.
Deputeti Armend Muja, beson se LVV-ja e ka mbështetjen popullore të konfirmuar, në çfarëdo rrethane.
“Nga shtatori në bazë të ligjit për zgjedhje presidentja duhet t’i konsultoj partitë për datën e zgjedhjeve por unë personalisht mendoj se do të ishte më mirë që ta përfundojmë mandatin që të japin edhe një shembull që Kosova është fanar i demokracisë, ndërsa LVV-ja është e konfirmuar që ka mbështetje popullore dhe në këtë rast ne jemi të gatshëm”, tha për rtv21 Muja.
PDK-ja thotë se nuk do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, në mënyrë që të pamundësojë punën e kuvendit deri në dorëheqje të qeverisë.
“Ju e dini që tash e një periudhë PDK-ja nuk e voton asnjë marrëveshje ndërkombëtare me qëllim që vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme, tashmë nuk ka kuptim që kjo qeveri të vazhdoj kur ne ndërkombëtarisht po izolohemi andaj çdo veprim që po bëjmë është që ta çojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe meqenëse e ka humb kredibilitetin vendit i duhet një kryeministër i ri që do të vjen nga PDK-ja”, tha Tahiri.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta shpëtonin Kosovën nga kriza në të cilën, sipas tij, e ka futur kjo qeveri.
“Një mashtrim elektoral me demagogji tri vjet qeverisje asnjë përparim asnjë zhvillim vetëm mashtrim pra zgjedhjet janë tashmë të detyrueshme dhe sa më parë që do të mbaheshin aq më mirë, nesër nëse do të krijohet ndonjë klimë do duhet të mbaheshin, dhe do të shpëtonte Kosova nga kjo keqqeverisje”, tha Zemaj.
Një mocion mosbesimi për qeverinë ka kohë që kërkohet nga Aleanca për ardhmërinë e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, thotë se zgjedhjet janë një zgjidhje për situatën e krijuar.
“Ne jemi në vit zgjedhor prandaj a mbahen në shtator apo në gusht sa më parë që kjo qeveri do të ikë aq më mirë për vendin dhe qytetarët”, tha Lekaj.