Kosova do të marrë kodin telefonik shtetërorë +383 në fillim të muajit tetor. Njëkohësisht nga fillimi i tetori pritet të licencohet një operator serb mobil që do t’i ketë operimet e kufizuara.
Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi.
Të martën e ardhshme në Bruksel do të mbahet takimi përfundimtar për çështjen e kodit telefonik.
Gashi ka pranuar se ka operime ilegale në pjesë të caktuara të Kosovës.
Ai tha se tashmë pala serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të heqë bllokadën në ITU.
“Të martën e ardhshme, më datën 13 shtator pritet të mbahet takimi përfundimtare për çështjen e kodit telefonik. Sigurisht janë mbajt një varg takimesh dhe pala kosovare qysh në fillim të këtij viti i ka përmbushur gjitha obligimet që ka pasur në raport me dialogun shtetëror me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në lidhje me telekomin, ka qenë pala serbe e cila e ka bllokuar dhënien e kodit për Kosovën deri më tani nëpërmjet mekanizmave të tyre në ITU”, tha Gashi.
Gashi ka shtuar se sipas marrëveshjes, do të licencohet një operator mobil serb i cili do të ketë licencë të përkohshme deri në shpalljen e tenderit për operatorë të tretë mobil në Kosovë.
“Do të kemi një operator të përkohshëm i cili operon në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës. Kanë operuar ilegalisht tre operatorë ilegalë, kjo është e përcaktuar në bazë të marrëveshjes së telekomit dhe planit të veprimit nga dy kryeministrat. Gjithashtu, kjo pritet të ndodh me kompletimin e kësaj marrëveshje dhe marrjen e kodit telefonik për Kosovën. Operatori do të fillojë të funksionoj legalisht në Kosovë – aktualisht ka operime ilegale në pjesë të caktuara të Kosovës, mirëpo, marrëveshja për telekomin e parasheh normalizimin e plotë të sektorit të telekomit në Republikën e Kosovës. Do të kemi një operim të përkohshëm i cili do të largohet nga Kosova me hyrjen e operatorit të tretë. Procedurën e aplikimit ata e kanë filluar në janar të këtij viti, mirëpo, ende nuk është arritur marrëveshja e plotë si do të operojnë plotësisht ata në Kosovë”, ka bërë të ditur Gashi.
Kryetari i ARKEP, bën të ditur se të gjithë operatorët mobilë dhe shërbimet e telekomunikimit janë të obliguar të shfrytëzojnë prefiksin e ri të Kosovës +383.
Kodi telefonik për Kosovës është dashur të jepet në fillim të këtij viti por pala serbe ishte ajo që kishte bllokuar këtë proces. /kp/