Komuna e Prishtinës ka shfuqizuar vendimin që parasheh paraqitjen e vërtetimit tatimor për të gjithë ata që duan të pajisen me certifikatë të pronës, të kopjes së planit apo regjistrim të pronës.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Kadastrës në kryeqytet, Donat Lushaku.
Përmes një njoftimi zyrtar, Lushaku njoftoi se neni 29 i Ligjit për Tatimin në Pronë, i cili parasheh pezullimin e shërbimeve komunale si pasojë e mospagesës së detyrimeve ndaj komunës, është fshirë.
Ky vendim do të hyjë në fuqi nga dita e hënë.
Ky është njoftimi i plotë i Lushakut:
Të dashur qytetarë të Prishtinës,
Pas hyrjes në fuqi (21 korrik 2023) të LIGJIT NR. 08/L-176 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJEVE QË PËRMBAJNË PROCEDURA TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE DHE HARMONIZIMIN E TYRE ME LIGJIN NR. 05/L-031 PËR PROCEDURËN E PËRGJITHSHME ADMINISTRATIVE, respektivisht në nenin 111 të këtij Ligji parashihet fshirja e nenit 29 të Ligjit për Tatimin në Pronë – që parashihte pezullimin e shërbimeve komunale si pasojë e mospagesës së detyrimeve ndaj komunës.
Në Gazetën Zyrtare është publikuar tashmë shfuqizimi i rregullores për pezullimin e shërbimeve komunale të nxjerrë nga Kryeministri në vitin 2021.
Nga e hëna, qoftë për nxjerrjen e certifikatës së pronës/kopjes së planit, qoftë për regjistrimin e pronës NUK do të nevojitet VËRTETIMI TATIMOR.
Falenderoj për bashkëpunim dhe koordinim institucional akterët kompetent lokal e qendror.
Më thjesht, më mirë, më lehtë!
Kryeqytetasit e meritojnë një trajtim të këtillë!