Kryetari i BDI-së në Maqedoni , Ali Ahmeti, si dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi kanë shkuar në vizitë tek babai i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi.
Aktualisht, ish-presidenti Thaçi është duke qëndruar në paraburgim në Hagë, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të akuzuar për krime lufte.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.